Një kampion shahu nga Roskoveci
Sot përfundoi kampionati kombëtar në shah dhe Landi Pasku nga qyteti i Roskovecit zuri vëndin e parë: ”Kampion i Shqipërisë 2021”.
Le të bëjmë një retrospektivë:
Në tetor të vitit 2009 në Ohër të Maqedonisë u zhvilluan ndeshjet e Chapions League, ku ekipi i shahut i Roskovecit u ndesh me shahistë profesionistë të përmasave evropiane. Në këtë përballje ra në sy shahisti i talentuar roskovecar Landi Pasku.
Po cila është udha e suksesit të këtij ekipi?
Ai u krijua në vitin 2008 dhe përbëhej nga treshja familjare Sotiraq, Landi dhe Roela Pasku dhe shahistë të tjerë si Ibrahim Morina, Aristir Zarka, Namik Xhaxho, Qemal Demo etj. Po këtë vit, shahistët e Roskovecit u renditën të tretët midis dhjetë ekipeve më të mirë të vëndit.
Trofeu i parë në rang kombëtar vjen në vitin 2009, pas një lufte të fortë sportive, ekipi i shahut i qytetit të Roskovecit shpallet kampion i Republikës, duke lënë pas shahistët e Shkodrës, Teutës, Kuçovës etj.
Por duhet theksuar se, sukseset e ekipit të shahut të Roskovecit nuk do të kishin qënë të tilla pa kontributin e trainierit dhe shahistit me përvojë Sotiraq Pasku, i cili mban mbi supe një karierë 40-vjeçare.
Tre protagonistët kryesorë të ekipit kampion të Roskovecit, antarë të familjes Pasku, kanë fituar në këtë aktivitet të suksesshëm të tyre 20 kupa e trofe të ndryshme.
Roela, vajza e Sotiraqit duke përfunduar masterin për Agro Biznes, nuk la pas dore edhe ëndrrën e trashëguar nga familja, shahun. Ajo ka përfaqësuar Shqipërinë në Olimpiadën e Stambollit, me ekipin femra për të rritura, ndonëse atëhere ishte më e vogla e veprimtarisë. Së bashku me vëllanë e saj Landin kanë filluar të luajnë shah që në moshën 5-vjeçare.
Disa fitore radhasi të Landi Paskut janë:
Kampionati i shahut Blitz 2009, kampion i Shqipërisë për herë të 6 të.
Në turneun Kupa ”Adem Jashari” zuri vëndin e parë.
Fitoret e fundit, siç ishte edhe kjo e sotmja; ”Kampion i Shqipërisë 2021”, të mjeshtrit shahist bëjnë krenar çdo shqiptar dhe aq më tepër çdo roskovecar.
Landi Sotiraq Pasku është trainer në ekipin ”Tirana” dhe profesor shahu në shkolla. Kështu, ekipi i shahut i qytetit të Roskovecit ka arritur përfaqësimin e Shqipërisë në majat më të larta të shahut evropian, duke u ndeshur e rrëmbyer fitore shahistëve më të mirë të kontinentit.