SHUMË SHKURT:
A DASHUROHET SHKRIMTARI?!
Tregim nga Fatmir Terziu
Koha ia solli atë që e priste. E kishte ëndërruar shumë herë këtë rikthim… Kaq shumë kohë… Në fund, nuk priti as zgjimin e lodhshëm, as atë që e kishte diku thellë në shpirt e në mendje. Po në zemër?! Pas valës së ndritshme të gëzimit dhe dashurisë tashmë sytë i kishte tek kopertina. Hidhërimi i zakonshëm u shfaq pikërisht në mes të takimit të ëndrrave që trazoheshin në atë që ishte brenda kopertinës dhe mes asaj që shkëlqente në sytë e tij.
Dhe ja, ndodhi. Tashmë është e shkruar. Ai një ditë… Ai… A u kthye vërtet?! Valixhet në mes të dhomës së ndenjjes dhe zilja e pandërprerë e telefonit janë dy gjërat e para. E treta është edhe përplasja e fortë e derës së përparme, po aq sa e katërta qaset tek pirgjet e miqve të vjetër e të rinj. Të gjithë i shëtisin diku afër dhe larg në mendje e në sy. Ai kishte disa ditë që ishte një e vërtetë e shkruar. Dhe ajo i qëndroi në ballkon. Dhe ai ëndërroi të zgjohej edhe këtë herë. Por dukej mes valëve. Iu shugurrua historia… ah… Historia e rërës.
Ai dhe ajo në plazh përballë një ambienti “kulti”. Ai – pak i tensionuar, por i gëzuar dhe i zhurmshëm, plot zgjuarsi. Ajo – e përmbajtur, e mërzitur me një truk mendimesh që i shfaqen fshehurazi. I prek flokët butësisht. Ajo po rregullon flokët e saj. I kërcen një kokërr në të majtë. Pastaj duket se i del një më e madhe në të djathtën e butë. E gjoksi kap valën. Ai e kthen kokën si luledielli drejt saj kudo që shkon. Ajo po shikon smartfonin e saj. Nga anash, disa gjëra duken më qartë. Të dy janë të rinj, të bukur dhe të sigurt. Por së shpejti ata nuk do të jenë “të dy”. E pse duhet ta shkruante kështu?
Por ai është i përhumbur. Flet me veten. Unë e respektoj veten në librin tim. Pas pak, fqinjët e mi në plazh dalin nga deti, dukshëm të vrenjtur. Dëgjoj një pjesë të vajzës së strukur në ndjesinë time duke mërmëritur: “Cila është ideja, të më rrëshqasin algat rrëshqitëse në gisht?! Një eko-unazë? Mjaft me këtë fëmijëri! Nuk është as e bukur, as e këndshme.” I riu hedh në heshtje algat jeshile të lagura dhe me shkëlqime rrezatuese e të përdredhura që përthyhen mërzitshëm në një unazë të bukur në rërë. Heshtje. Zhurmë në brendësi të shpirtit. Ai e dëgjon. Ajo e dëgjon. Po pse? E shkruara s’ka fund. Është shkruar para se të jetë dashuruar? Kaq. Ai mbledh bagazhin dhe e çon në makinë. Pas një ore tjetër dhe unë jam gati të largohem. Eh, dielli tashmë po perëndon. Kopertina ka një risk në këtë pikë. E në këtë pikë më ysht metali i gjyshit të komshijes.
Gjyshi i komshijes me detektorin e metaleve tashmë ka eksploruar sistematikisht gjysmën e plazhit. Papritur ai gulçohet, buzëqesh dhe hidhet përpara si një zog që i ka rënë në sy ushqimi. Në pëllëmbën e tij shtrihej një unazë e papërshkrueshme, e jeshilosur dhe e ngatërruar me një botë të ftohur, të mbushur me alga deti të thata të përziera me rërë. Një unazë e artë e pagabueshme shkëlqen midis algave në perëndim të diellit. Në sytë e autorit dielli bën rikoshetë me disa pika që i rrëshkasin në baqth. Ka shkruar. Por a është i vetëdashuruar?
