T’ju vijë rëndë, t’ju vijë!
Jani Kaçi është personaliteti më i madh i sportit korçar dhe ndër më të mëdhenjtë e sportit shqiptar!
Disa ditë më parë, tifozët e Skënderbeut zbritën në fushën e stërvitjes, duke i kërkuar llogari futbollistëve dhe për t’i motivuar që të nisin kthesën prej ndeshjes së radhës me Kukësin… E drejtë e tyre.
Jani Kaçi, ish-portieri i Kombëtares dhe Skënderbeut dhe Kombëtares, aktualisht trajner i të rinjve të klubit korçar, ka mbajtur qëndrim kundër futjes së tifozëve në fushë. Sipas Kaçit, ekipi nuk u jep llogari tifozëve, pasi ka struktura të tjera. Madje, insiston që mësymja e tifozëve duhet dënuar, pasi ambientet e klubit janë institucion.
Askush nga ata që zbritën në fushën e stërvitjes nuk e do më shumë se Jani Kaçi Skënderbeun! Askush! Askush nga ata që nuk zbritën në fushën e stërvitjes nuk e do më shumë se Jani Kaçi Skënderbeun! Askush! Pse???
Sepse në fillim të viteve 90-të, Jani Kaçi iu gjend pranë klubit të Skënderbeut, totalisht të rrënuar, të vjedhur nga ata që pretendojnë dhe duan dekorata. E drejtoi me shumë dashuri, dedikim dhe pasion. Korça ishte i vetmi qytet, ku stadiumi dhe terrenet sportive jo vetëm që s’kishin pësuar asnjë dëmtim nga barbaria e “pushtimeve” pa leje, por ishin edhe nga më të mirëmbajturat në tërë Shqipërinë. Kjo, falë punës dhe autoritetit të padiskutueshëm të Jani Kaçit.
Kush thotë të vërtetën dhe punon për të vërtetën e do Korçën dhe Skenderbeun. Jo ata që e vodhën…
Të gjithë atyre që shanë, ofenduan dhe hodhën baltë mbi Jani Kaçin, pas reagimit të tij, ju them: T’ju vijë rëndë, t’ju vijë! Sado baltë të hidhni, Jani Kaçin nuk e bëni dot pis, fare. Sepse Jani Kaçi është institucion! Jani Kaçi është personaliteti më i madh i sportit korçar dhe ndër më të mëdhenjtë e sportit shqiptar!













