Nga Engjell SERJANI
Thyhet në Gjirokastër fotografi Roland Tasho, përtej të huajve u kthehet shqiptarëve.
Më në fund është thyer fotografi i njohur Roland Tasho me projektin e tij shumëvjeçar “Përtej kostumeve”, që sipas modetit të hershëm të poetit britanik Lord Bajronit, fotografonte vetëm diplomat, artistë dhe sportistë të huaj, të veshur me kostume kombëtare shqiptare të krahinave të ndryshme të vendit. Për herë të parë këtë fundjavë, ai shkoi në Gjirokastër dhe ka veshur me kostumet popullore kombëtare një grup shqiptarë, kolegë të tij amatorë e profesionistë të fotografisë, pjestarë të grupit “Miqtë e fotografisë”.
Roland Tasho së bashku me fotografin profesionist Ilir Ciko, të njohur edhe si “fotografi i zogjve” dhe disa fotografë të tjerë të këtij grupi miqsh, organizuan në 19-20 mars një tur turistik dyditor në qytetin e Gjirokastrës dhe në disa destinacione të tjera turistike përreth saj. Grupi i “Miqve të fotografisë”, i përbërë nga vetë Rolandi dhe Mirian Angoni, Ilir Ciko, Aida Hoxha dhe Engjëll Serjani, që për dy ditë në Gjirokastër u bënë objekt dhe subjekt imazhi duke përshkuar veshur me kostume popullore disa monumente kulturore në qytetin e UNESCO-s, duke i fotografuar këto objekte dhe duke u vetëfotografuar.
Qafa e Pazarit, kompleksi arkitekturor i Angonatëve, Kështjella e lashtë e qytetit të gurtë, por jo vetëm. Përtej Gjirokastrës; Parku Arkeologjik Antigone, Manastiri i Spilesë, Kisha Eremite e Shën Kollit, Kisha e Shën Mërisë në këtë manastir, teatri dhe rënojat e Adrianopolit në Sofratikë, Kisha e Labovës së Kryqit, ishin disa nga imazhet e fiksuara në objektivat e aparateve e miqve të fotografisë.
Gjatë udhëtimit të tyre me kostume popullore veshur dhe me aparatet fotografike në dorë. miqtë e fotografisë takuan dhe fotografuan me dhjetra turistë nga Tirana, Shkodra, Prizreni, Tetova dhe vizitorë të tjerë të huaj, që mbushnin rrugët dhe sokakët e Gjirokastrës dhe mes tyre fiksuan shumë momente dhe episode të veçanta.
Fotografi dhe mbresa të pashlyeshme morën nga takimet grupin e pedagogëve të Universitetit të Tetovës në Maqedoninë e Veriut të shoqëruar nga kolegu i tyre Bujar Ahmeti që është admirues i përhershëm i Gjirokastrës, bisedat me pjestarët e dy familjeve shqipare ardhur nga Prizreni, dhjetra shqiptarë të ardhur për të marrë pjesë në përvjetorin e Luftës së Mashkullorës dhe në ceremoninë e përurimit të një memoriali në Haurin e Mashkullorës ku u zhvillua epopeja e madhe e Cetës së Cercizit me osmanët ngritur me interesimin e gazetarit Marin Mema, takimi me autoritetet vendore dhe qëndrore kryetarin e bashkisë Flamur Golemi, ministrat Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro që morën pjesë në ceremoninë e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Bashkisë Gjirokastër” për Ambasadorin e B.E. zotin Luigji Soreca.
Për të gjithë fotografët e përfshirë në këtë tur mbreslënës, ajo që do të kujtohet më gjatë lidhet me “thyerjen e akullit” nga dy fotografët pjestarë të këtij grupi miqsh, posaçërisht Roland Tasho që për herë të parë veshi dhe fotografoi kolegët e tij me kostum popullor kombëtar, dhe që kolegu Ilir Ciko për herë të parë, krahas zogjve dhe lejlekëve që fotografoi në parkun e Viroit në Gjirokastër, në objektivin e fotografive të tij u përfshin imazhe pa fund të vlerave të trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës.
Kësisoj, tash e tutje nuk do të jenë vetëm: Bruno Vespa, Riçardo Coçiante, Gianni de Biasi, Ulrike Lunacek, Eduard Kukan, Stipe Mesic, Tahseen Sayed, Antal Heizer e të tjerë miq të huaj të Shqipërisë të fotografuar nga Tasho, por edhe personalitete, artistë, sportistë, fotografvë shqiptarë të veshur shqiptarce. Dhe më tej, ash e tutje nuk do të jenë në objektivin e Cikos vetëm vlerat e natyrës: pelikanët, lejlekët e bardhë, kali i qyqes, skifterët, bufi veshgjatë, gushkuqi, thëllëza e malit, por edhe vlerat kulturës dhe traditës kombëtare.

















