Engjëll SERJANI
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër lan duart me një monument unikal.
Një grup përfaqësuesish të krahinës së Zagories, që aktualisht përfshihet në bashkinë e Libohovës, mes tyre disa studiues, njohës e promovues të vlerave e traditave të trashëgimisë kulturore në të gjithë Shqipërinë, kanë vënë alarmin për rrezikun e asgjësimit të vlerave të kishës së Shën Kollit të fshatit Hoshtevë, një monument unikal krahasuar me 15 kishat e tjera të këtij fshati.
Të zhgënjyer totalisht nga papërgjegjshmëria kriminale e treguar nga ishdrejtuesit e Drejtoriaë Rajonale të Trashegimisë Kulturore në Gjirokastër në rastin e shëmbjes së Urës historike të Hoshtevës, grupi nge fort zërin për marrjen në mbrojtje të Kishës së Shën Kollit duke e shpallur “monument kulture” këtë objekt me vlera të rralla arkitekturore dhe historike.
Në grupin e intelektualëve dhe banorëve të Hoshtevës që kanë reaguar përfshihen: historiani Llukan Saqellari, autor i dy librave studimorë për historinë e Hoshtevës, Arqile Hila e Arqile Puleshi, dy ish kryetarë të komunës së Zagorisë, Paskal Nasi, kryeplak i fshatit, sociologu Spiro Dede, intelektualët dhe banorët, Drita Koçollari, Simo Marka, Kolo Qirollari, Kiço Kalaja, Kosta Puleshi, Spiro Gjika,Vasil Saqellari, Flora Ndreu, Pali Toslluku, Petro Dede, ë shumë të tjerë. Me anë të një kërkese me shkrim të argumentuar ata i kanë kërkuar bashkisë së Libohovëës dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimise Kulturore në Gjirokastër që Kishës së Shën Kollit të Hoshtevës t’i jepet një status dhe të shpallet “monument kulture.
“Duke qënë se është një ndër 15 kishat që ka trashëguar nga e kaluara fshati Hoshtevë, kisha e Shën Kollit vjen më memorien e brezave si më e lashta, me histori të shumta e interesante të ekzistencës e qëndresës në shekuj, me strukturë e artefakte domethënëse, me vlera, me mite, gojëdhëna e besëtytni që edhe në ditët tona e paraqesin si objekt me stimë e fuqi të shenjtë”, shkruajnë banorët e Hoshtevës në kërkesën e tyre.
Ky objekt unikal kulti paraqet interes, jo vetëm për vlerat unikale arkitekturore dhe artistike në dekorimin e saj mural dhe ikonografik, por me interes është edhe historia e saj më shumë se 3 shekullore, për shkak të së cilës është cilësuar “Shën Kolli i Qëndresës”. Sipas banorëve më të moshuar në Hoshtevë: “Kur një grup “kristianësh të konvertuar”, me ndihmën e Portës së Lartë, tentuan të ngrejnë një lagje dhe një xhami myslimane duke shkatërruar e prishur këtë kishë, me qëllimin për të “ngulur një pykë myslimanizmi” më territorin e Zagoriesë monofetare, qëndresa e banorëve bëri që tri herët përpjekja islamizuese të dështojë”, rrëfejnë banorët.
Veçanërisht në këto 80 vjetët e fundit, thonë hoshtevasit, për arsyet e politikat e kohës, për mundësitë e kufizuara të fshatit dhe për papërgjegjshmëri të strukturave të mbrojtjes së monumenteve, kjo kishë, dikur hijerëndë, u la mënjanë e në degradim, megjithëse meritonte të trajtohej njëlloj si kisha e Shën Pjetrit që mban statusin ”monument kulture” prej shumë dekadash dhe është rikonstruktuar nga shteti 2 vjet më parë.
Për emrin e mirë e vlerat që mbart “Shën Kolli”, banorët e fshatit, të nxitur edhe nga restaurimi që i bëri Ministria e Kulturës kishës simotër të Shën Pjetrit, grumbulluan vullnetarisht fondet dhe me kontribut vullnetar në vitin 2018 e restauruan thellë kishën e Shën Kollit. “Për gjithë vlerat e trashëgimisë etno-kulturore dhe historike ky objekt i lashtë unikal kulti duhet marrë në mbrojtje nga shteti”, shkruhet në kërkesën e banorëve.
Kisha e Shën Kollit në Hoshtevë të Zagorie, si objekt arkitekturor paraqitet sot një godinën masive, me anekset përkatëse për shërbesat fetare, me dy porta hyrëse origjinale për burra e gra; sallë lutjesh të veçantë të burrave me kolona guri rrumbullake origjinale; me ikonostasorgjinal dhe ndenjëse druri të rikonstruktuara, me kube e kupola të dekoruara. “Stimë të veçantë kishte kondisma (ikona) “Babà Shën Kolli” ardhur nga Stambolli, (vjedhur dhe shitur në Greqi). Basorelievi ikonografik prej argjendi, që gjer vonë trajtohej si ikona e çudirave, ku fatkeqësitë e besimtarëve gjenin shërim”, thotë historiani Llukan Saqellari, Sipas tij, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, qysh nga rasti i shëmbjes së Urës Monument, “ka larë duart” me monumentet e Hoshtevës. Një kërcënim tjetër që shqetëson banorët është edhe inisiativa e një emigranti nga fshati Hoshtevë që pretendon që sëbashku me disa bashkëpunëtore nga Greqia të ndërhyjë për të restauruar këtë objekt kulti me vlera unikale. “Një ndërhyrje e tillë, pa projekt dhe pa prezencë të ekspertëve shqiptarë të monumenteve në këtë objekt, do të shkaktonte asgjësimin e vlera orgjinale të saj. Prandaj ne kërkojmë shpalljen urgjent “monument kulture” dhe marrjen në mbrojtje nga shteti të kishës”, përfundon ish mësuesi Llukan Saqellari.



