Një udhëtim, për poezinë, gjuhën dhe dashurinë….
Një mision, në emër të fjalës, ashtu si vetë fillesa e Biblës: se e para ishte fjala. Fjala, shkruhet, jo vetëm me shkronja, ashtu si fillesa jonë nga Elbasani, ku mori udhën e saj, udhëtimi me “Udhën e Shkronjave…” e më pas , “Kujtesë për vazhdimësinë…”, një mision e ideuar nga Iliriana Sulkuqi , që nga përtej oqeanit, e përulur, trupvogël dhe mendjendritur, një mision për fjalën, gjuhën,
shkollën dhe poezinë shqipe, dashurinë dhe përkujtesën kolektive të së bukurës, të së harruarës, për të gjallët dhe të vdekurit misionarët e mëdhenj të fjalës shqipe, si një udhëtim, përkujtese përmes udhës së shkronjave, nga ku fillon fjala dhe muza shqipe e poezisë, letërsisë, ku bulëron tinëzisht geni etnik kombëtar, të një populli aq të lashtë të Ballkanit, si ai yni, populli shqiptar.
U nisëm nga Tirana, në agsholin e përhimë të 12 Shtatorit, kur shkollat nisin udhën e dijes. Rrugët e metropolit shqiptar, akoma me gjurmë vese, janë mbuluar nga zhurmëria e makinave pafund. Nën shoqërinë e Margarita Xhepës, ikona fjalës magjike të bukur shqipe, Kozeta Zavalani , folësja e ekranit dhe gazetarisë profesionale televizive shqiptare për dekada, dhe aktivistia shqiptare në Itali për kaq dekada Vitore Stefa Leka, nën shoqërinë e Demir Rusi , poet dhe biznesmen. Pas, vizitës tek “Përmendorja e shkollës së parë shqipe në Elbasan” morëm rrugën drejt Strugës. Një ndalesë, buzë Shkumbinit si përkujtesë për martirët e fjalës së lirë, poetëve dhe mësuesve demokratë, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Udhëtimi vazhdon përgjatë Shkumbinit drejt Pogradecit të Poradecit dhe Kutelit. Dy figura madhore të letërsisë moderne shqipe. Shtatoret përballë njëri- thetrit , lartohen në shëtitoren e madhe përgjatë liqenit, mbushur me trëndafila dhe pulëbardha, “shtruar me fjalë dhe poezi “, na kujton se gjuha dhe fjala shqipe janë në rrezikun e “modernitetit” dhe të teknologjisë kibernetike virtuale.
Pasi lamë pas liqenin dhe Pogradecin, përmes Qafë Thanës, trau i fundit mes shqiptarëve këtej dhe andej na kujton përsëri…dhe përsëri copëtimin e trojeve. Udhëtimi me Margaritën dhe recitimi aq bukur i vargjeve të Lasgushit, na e bëri rrugën drejt Strugës çlodhëse dhe të plot harmoni.
Ndalesë e parë në Strugë ishte tek shkolla e poetes strugane por edhe e gjithë arealit femëror shqiptar të MV, Puntorie Muça Ziba . Në atë shkollë, ku mësohet gjuha shqipe, flitet dhe shkruhet alfabeti i Kongresit të Manastirit që fatkeqësisht është “sllavizuar” si Bitola, por do mbetet shkolla e mendjeartëve, të familjes Qiriazi, takuam edhe shumë poetë të tjerë. Qëndrimi tek bujtina e Agim Poshkës ( apo poshkallarët siç quhej në komunitetin shqipfolës), ku Drini shtron peshtafin e tij ujësor të urtuar, mes dritave dhe hoteleve luksoze. Një ecje përgjatë bulevardit, me plot pemë, pisha, freski, lule dhe bujtina sa moderne aq edhe tradicionale, u mbyll me mbrëmjen poetike të çmimeve dhe mirënjohjes nën drejtimin e Eduart Stavri Çala.
Takimi me Konsulin e Përgjithshëm të Prishtinës më Strugë, z. Agim Krasniqi, ishte një risi e këndshme. Konsulli, një – ish ushtarak karriere,
- ish deputet në Kuvendin e Kosovës bashkë me poeten, qëndrestare dhe veprimtarinë e njohur politike, në Kosovë Flora Brovina, formuan trekëndëshin e Bermudës, Shqipëri + Kosovë + MV, ku shqipja ishte guri i çmuar “Mihori” ( guri i çmuar i kurorës britanike që indianët e pretendojnë si pasuri kombëtare të tyre), në atë triptikë të bukur prej të njëjtin truall Iliro- Dardan.
Me 13 shtator, pas pritjes nga Konsulli në zyrën e tij, një kurorë me lule tek shtatorja e Shën Terezës, u rinisëm përsëri për udhëtimin drejt Elbasanit të kalasë, së Myzyrit, të Kristoforidhit, të ballokumeve, të ditës së verës dhe të vendlindjes së Ilirianës tonë fisnike , atdhetare dhe misionare. Një drekë, e shtruar nga Unioni i Gazetarëve të pavarur shqiptar me përfaqësues Aleksandër Çipa, dhe rikthimi në metropolin e zhurmshëm të një prej pasditeve vjeshtore, me diell të nxehtë akoma shtatori.
Kjo udhë e bukur e shkronjave, gjuhës dhe fjalës shqipe, mbolli farëzat e miqësisë dhe të një dashurisë tjetër. Ajo, pjesë e atdheut të madh, deri më përtej në Greqi, Itali, Amerikë dhe Kanada. Sa e lehtë mirësia, sa e rëndë dashuria, sa e madhe shqiptaria dhe sa e çlirët miqësia.
shënim: ( të më falin ata që nuk ua di emrat, por që ishin me ne. Mirënjohje).
©copyright EMI KROSI.