Censi 2023 sado i manipuluar që të jetë, nuk arriti të fshehë shpopullimin masiv të Shqipërisë.
Bashkia Shkodër ka rezultuar të jetë Bashkia me numrin më të madh të të larguarve që nga censi i fundit i realizua në 2011-tën. 33 mijë e 178 shkodranë kanë lënë Shkodrën për një jetë më të mirë kudo, larg vëndit të tyre. Përkthyer në përqindje, rreth 24.5% e popullsisë shkodrane janë detyruar të largohen për shkak të politikave të këqija dhe diskriminuese sidomos ndaj Veriut si dhe nga mungesa e shpresës për të ardhmen.
Arsyet kryesore të ikjeve janë mungesa e tregut të punës dhe pagat e ulta, arsye këto që janë cilësuar edhe në raportin e 2024 të IOM (Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin).
Shkodra është Qarku i lënë krejtësisht pas dore nga qeveria e Rilindjes që prej vitit 2013 që erdhi në pushtet. Ato zgjedhje do shënonin kalvarin e mjerimit, të papunësisë, të varfërisë dhe të mungesës totale të investimeve për Shkodrën si Bashki dhe si Qark.
Në 11 vite, kjo qeveri nuk solli asnjë investim të madh për Shkodrën, për zhvillimin e Saj, nuk bëri asnjë përpjekje për të zbutur varfërinë, përkundrazi u kujdes të ‘mbillte’ mjerim për shkodranët që t’i detyronte të largoheshin për të zbatuar pikë për pikë axhendën e saj të shpopullimit.
Sot Shkodra vazhdon të jetë në ditët më të zeza të ekzistencës së Saj…
Njerëzit ikin çdo ditë, qyteti është plakur ndërsa fshatrat janë pothuajse bosh. Rinia është larguar dhe largohet çdo ditë pasi nuk gjen mundësi zhvillimi dhe perspektive për punësim, meritokracia nuk ekziston. Nëse nuk i përket familjes pastronazhiste të Rilindjes nuk mund të punësohesh në asnjë pozicion pune anipse’ mund të jesh student/e me rezultate ekselente.
Shkodra është në ditët më të zeza të saj….
Korrupsioni ka prekur çdo qelizë institucionale, ligjin e bëjnë të fortët pasi duhet të marrin shpërblimin e pushtetit të grabitur që i kanë dhënë Rilindjes në zgjedhjet e fundit lokale.
Shkodra po shpopullohet me ritme të shpejta dhe të frikshme. Qeveria mbyll sytë përballë faktit dhe vazhdon propagandën e premtimeve mbi investime të cilat prej 11 vitesh kanë mbetur vetëm fjalë të hedhura në ajër e që në fakt janë zbatuar në Jug të vëndit.
Shkodra është e diskriminuar prej vitesh dhe këtë e tregoi më së miri censi i fundit i cili është pasqyrë e qartë e pakënaqësisë së madhe që kanë veriorët dhe shkodranët ndaj pushtetit absolut rilindas i cili me dashje e ka lënë pas dore Veriun në politikat e investimit duke përqëndruar çdo lek të buxhetit në Jug.