Shqipëria padyshim ofron asete të mrekullueshme turistike ku krahas turizmit të thjeshtë malor, detar, ajror e lumor ofron dhe aventurë me sportet e ndryshme në natyrë.
Një prej njerëzve të punës e që me dashuri e përkushtim i është dedikuar këtyre guidave është Zamo Spathara. Teksa njihesh me Zamon të bën përshtypje thjeshtësia e tij, komunikimi dhe pasioni që ai ka për realizimin e rafting në lumenjtë e Shqipërisë. I pyetur për portalin tonë Zamo tregon se këtë pasion e ka filluar fillimisht në Itali e prej 25 vitesh operon me biznesin e tij në realizimin e këtij sporti. Aktualisht Zamo Albania Rafting kompania e vetme e certifikuar në Shqipëri për realizimin e këtij sporti ka rreth 25 guida staf të trajnuar për liqene, laguna, lumenj të specializuar për dhënien e ndihmës së parë e që shoqërojnë kryesisht turistët e huaj në realizimin e rafting .
Të bën përshtypje serioziteti, komunikimi, mikpritja, pasioni me të cilën këta djem punojnë.
Zamo shprehet se Shqipëria është një vend me asete te mrekullueshme e të paeksploruara nga vendasit të cilët kryesisht i shfrytëzojnë pushimet e tyre lehtësisht me ditë qendrimi në qytete e resorte turistike duke neglizhuar sportet natyrore apo aventurat si rafting.
Të huajt shprehet Zamo, për të cilët ofron guida shtatë ditore në Shqipëri janë më eksplorues të këtyre sporteve ku krahas akomodimit ata vizitojnë vendet turistike e realizojnë disa lloje të sporteve natyrore që Zamo Albania Rafting posedon si rafting, hiking, canoeing etj.
Ai shprehet i lumtur me kërkesat e turistëve të huaj por bën thirrje që të ofrohet më shumë mbështetje nga shteti për mirëmbajtjen, pastrimin e lumenjve si dhe mbështetje financiare në ndihmë të kompanive që promovojnë turizmin shqiptar.
Zamo thotë se ata kanë përfaqësuar Shqipërinë në evente ndërkombëtare si në Republikën Çeke në 2012 ku eleminuan Italinë në disiplinën kokë më kokë , në Itali në 2018 ku eleminuan Serbinë po në disiplinën kokë më kokë dhe së fundi në Francë në 2021 në Kampionatin e Botëror të Rafting ku Shqipëria u prezantua denjësisht e midis 27 shteteve u radhitën të tetët. Me modestinë që i karakterizon dhe dëshirën për tu përfaqësuar denjësisht djemtë e Zamo Albania Rafting për të mbuluar shpenzimet e tureve kanë zgjidhur të shesin paketat e rafting dhe me një pjesë nga ato qe fitojnë marrin pjesë e përfaqësojnë shtetin shqiptar.
Sipas Zamos Shqipëria mbetet destinacioni ende i panjohur nga të huajt dhe ku pas disa vitesh pretendon të sjellë mijëra turistë në vendin tonë në realizimin e rafting.
Së fundi ai i bën thirrje të gjithë djemëve e vajzave që duan te bëhen guida rafting, kayak të shkruajnë tek www.fshr.al ku trajnimet do të jenë falas.

