A është i jetueshëm më ky vend⁉️
Disa përgjigje alternative për një analizë të Ylli Manjanit. Argumentet e tij janë renditur me pikëçuditese ndërsa arsyetimet e mia nënrenditen poshtë argumenteve të tij.
❗️Spitalet janë gropë çnjerzore nga keqmenaxhimi e korrupsioni;
⭕ Nuk është plotësisht e vërtetë se spitalet janë gropë njerëzore. Në spitale mund të ketë probleme, por jo kudo dhe për gjithçka. E kam të provuar e jo të perceptuar këtë që them. E kam të parë e jetuar me të afërm të mi dhe njerëz të tjerë që kam parë çfarë shërbimi spitalor kanë marrë. Sot në ato spitale që janë rinovuar si kushtet, si shërbimi mjekësor janë si dita me natën me para 10 vitesh ku për një stendë zemre duhej të prisje me javë ose muaj ose duhej të shkoje te monopoli privat. Pavijonet e dikurshme të spitaleve ishin njëlloj si nevojtore të mëdha papastërtie. Por për të bërë propagandë e politike është çështje tjetër. Korrupsioni nuk ka tesera partish kështu që ai që është i ndershëm në profesion nuk ka lidhje me krahun politik në të cilin aderon.
❗️Shkollat vatra analfabetizmi;
⭕ Po arsimi ka probleme edhe në standarde të mësimdhënies dhe në kurikula. Por nuk ishte më mirë dhe u bë me keq. Është në një pështjellim të vazhdueshëm dhe kërkon vërtetë një reformë reale e integrale. Por nga përgjegjësia e degradimit nuk mund të shpëtojë opozita e sotme që ishte dje në pushtet dhe i shndërroi universitetet në kioska për të dhënë diploma pa karar për studentët e forumeve rinore të partive që qeverisnin. Si diplomën edhe patentën e makinës e merrje edhe pa dhënë fare provime por vetëm duke dhënë zarfin me lekë ose me urdhër partie në rektorat a dekanat. Pra aksidentin fatal ta shkaktonte edhe mësuesi militant edhe individi në rrugë që merrte jetë njerëzish se kishte marrë patentë pa prova.
❗️Mjedisi i ndotur në ekstrem me mbetje urbane dhe tashmë edhe toksike;
⭕ Po mjedisi nuk është sot në kuotat e pretenduara apo të duhura. Por është si dita me natën ku ka qenë. Kujtoni si e la gjendjen kjo opozita e sotme e qeveria e djeshme e doktorit ku tymi kanceroz e toksik i plehrave që digjeshin në Sharrë helmonte gjysmën e Tiranës. Dhe prej atij tymi toksik sot ke numra alarmant të kancerit. Po është e vërtetë që inceneratoët që duhet të ishin zgjidhje rezultuan dështim korruptim, por kjo nuk e bën më të ndershme dhe më të mirë qeverisjen e djeshme që nuk kishte asnjë vizion si zgjidhet kriza e plehrave dhe si të menaxhohet pastërtia e ambientit.
❗️Ekonomia e gjitha nën kontrollin e shumë pak klientëve të pushtetit dhe e ushqyer fiktivisht me para droge;
⭕ Tani të themi troç të vërtetën me emra jo me lloqe kot në tym. Këta klientë si psh Zamirin, Çetin, Bashkimin, apo Damirin i krijoi Edi Rama apo Sali Berisha. Pse nuk i përmend me emra këta doktori kur nuk lë kuç e maç pa përmendur kur nuk i puqen interesat. Po versionin e pasurimit të shpejtë përmes projektit pilot të hashashit në Lazarat kush e krijoi dhe e lejoi?! Bota mbarë fliste për cilësinë e mahnitshme të marihanës shqiptare. Damir Fazlliçin, një biznesmen serbo/boshnjak e kujtoni kush e futi në tregjet e energjisë dhe sipërmarrjes në Shqipëri?! Me çfarë statusi ky personazh u ul krah kryeministrit Berisha në tryezën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku ishte prezent edhe Sekretari Amrirkan për Sigurinë e Brendshme Tom Rich
❗️Puna dhe profesioni nuk kanë asnjë kuptim nëse nuk je mik me pushtetin, për pasojë as Liria ska kuptim;
⭕ E kur ka patur kuptim profesioni në Shqipëri, kur policla, gjykata, prokuroria, dogana apo tatimet u mbushën me militantë injorantë që nuk shkonin as në punë, por përveç rrogës qyl bënin edhe dallavere e merrnin ryshfete si taksidarët e Turqisë së kamotshme. U ndërtua një administratë mediokre ku drejtorët “votonin” te ministrat por edhe kuota te partia. Edhe në ministrinë e drejtësisë si në shumë minsitri është “votuar” për meritokraci.
❗️Territori praktikisht pronë private e një njeriu të vetëm, i cili e ka për kulla ose për kampe emigrantësh gjithfare, si qokë për foto e mbështetje ndërkombëtare;
⭕ Po kullat janë fenomen i kohës sikurse ishin dikur kioskat e shëmtuara që vranë e qelbën urbanizimin e qyteteve në mënyrë më të tmerrshme sepse ata që drejtonin ishin pa vizion dhe pa interes për masakrën që ndodhte në territor. Qytetet sot nuk kanë të krahasuar me qytetet e 10 viteve më parë. Po është e vërtetë se ka më pak gjelbërim, ka më pak zhdërvjelltësi në qarkullim, por ka më shumë për rregull e pastërti as nuk ka krahasim.
❗️Shteti si qendër eksperimentale reformash të shpikura dhe që nuk ofron as barazi e as drejtësi;
⭕ Po ky shtet ka 30 vjet që është eksperiment reformash. Ka nsiur që me reformën e famshme të prokurorëve e gjyqtarëve të plepave. Me një kurs 6 mujor bëheshe gjyqtar ose prokuror. Ata ishin turpi i drejtësisë dhe shtetësisë. Ishin themeli i korrupsionit që u shtresëzua në gjykata. Kishte dhe çmime referenrce për t’u emëruar prokuror, gjyqtar, e deri te noter e kancelar.
❗️Të drejtën që ke fituar mund të mos e gëzosh sepse ta marrin pa proçes e pa problem;
⭕ E vërtetë. Me mijëra dosje mbivendosjeje pronash qëndrojnë ende pirg nëpër gjykatat e drejtësisë që dhanë plepat duke marrë lekë me zarfe me të cilat blenë vila në resortet luksoze apo rezidencave të tjera, dërguan fëmijët nëpër shkollat më të shtrenjta jashtë vendit, sepse në Shqipëri shkollat i shndërruar në rrumpallhanë për punësim mësuesish militantë
❗️Shoqëria e gjitha me tru të shpëlarë dhe që beson në trutë e gomarit që i hedh bosi në mediat me pagesë, nuk ka sesi të jetë demokratike. Për zgjedhje të lira as që bëhet fjalë;
⭕ Po e vërtetë është që kjo është një shoqëri e sterilizuar dhe e keqinformuar nga mediat. Por duhet thënë kush i hodhi themelet dhe e ndërtoi këtë formë. Doktori i madh kërkonte që TVSH të fliste vetëm për arritjet e qeverisë së madhërishme të tij dhe u katandis në një ekran që se ndiqte më asnjeri. Mjafton të kujtojmë vetëm rrugën e kombit qe u faturua dy fish dhe korrupsioni i saj u mbyll me procedurë në gjykatë e me propagandën se rruga ishte më e rëndësishme sesa vlera e llahtarshme korruptive e saj sikurse veprat e tjera të asfaltit elektoral. Kështu ndodhi edhe me disa TV private që konkurronin me TVSH të promovonin sukseset e së kush t’i bënte më shumë fresk qeverisë e partisë shtet të doktorit. Për zgjedhjet pastaj ç’të thuash. Mjafton vetëm cirku që u bë për t’i dhënë me çdo kusht Lul Bashës fitoren në Tiranë. U angazhua gjithë shteti dhe Ben Ristami e di çfarë hoqi në atë histori për të bërë atë akrobaci për t’ia hequr Ramës fitoren dhe për tia dhënë Lul Bashës fitoren në tepsi. Po po këtij Lul Bashës që e degjenerojnë sot këta që çfarë nuk kanë bërë për ta ngritur në piedestal se ishte beniamini i doktorit.
❗️Varfëria e gjithanshme i ka bërë njerëzit të besojnë se fajin e ka gjithmonë viktima, i vdekuri, i sëmuri, i pamunduri;
⭕ Po njerëzit ashtu besojnë që kur e drejta e pronarit legjitim nuk u mor kurrë parasysh, që kur të përndjekurit u tallën dhe u sorollatën e me ta u bë propagandë se here iu desh doktorit komunist për të bërë antikomunistin. Për varfërinë po sjell si shembull vetëm statusin e minatorit që qeveria e doktorit se bëri kurrë se ishin interesat e oligarkisë në paradhomën që se linin doktorin të merrte vendime në favor të minatorëve e punëtorëve.
❗️Në vendin me diell dhe pasuri natyrore mungon energjia dhe uji, ose janë aq të shtrenjta sa është njësoj sikur mungon;
⭕ Këtu tani një shembull i thotë të gjitha. Doktori dha me koncesion dy hidrocentrale në Valbonë. Ishte kulmi i marrëzisë dhe makutërisë kur dha lejen për të futur Valbonën në tuba betoni. Dmth kjo ishte strategjia për të bërë vendin fuqi energjitike.
❗️Jemi shteti i vetëm që më shumë se gjysmën e popullsisë e kemi përzënë dhe, kur ajo vjen në shqipëri e llogarisim si turizëm. Për këtë shkak llogarisim si sukses rritjen e numrit të pasagjerëve në Rinas…
⭕ Shqiptarët kanë emigruar, emigrojnë dhe do emigrojnë gjithnjë sepse janë njerëz me ambicie për veten dhe jetën. Dhe ata që emigrojnë nuk kanë ndërmend të presin kur të ftillohen qeveritë e këtij vendi. Ritmi dhe dinamika e tyre e jetës dhe pritshmërive është në një frekuencë tjetër nga pushtetet, ndaj kjo puna e ikjes dhe e ardhjes së tyre nga Shqipëria dhe në Shqipëri është e pavarur se sa mirë apo keq punon qeveria. Ata mund të ikin edhe nga keqqeverisja por ikin se alternativa për ata që pretendojnë të rikthehen në qeverisje është edhe më keq. Të njëjtët njerëz e fytyra u larguan me 1 milion vota për korrupsion, të njëjtën pretendojnë të bëjnë sot revolucion.
❗️Kur na rritet turizmi na ulen të ardhurat dhe na rriten çmimet, pra shpenzimet;
⭕ Te ardhurat nuk janë ulur por janë rritur sikurse është e vërtetë që janë rritur edhe çmimet dhe madje besoj se me këtë trend shqiptarët pas 5 vitesh do kenë problem të bëjnë pushime në vendin e tyre sepse tregu ka dalldis e makutëria për fitim është çakërdis. Por qeveria nuk do marrë e të bëjë menunë e çmimit të lokaleve. Po mund të mos pompojë suksese të pakuptimtë, ose të marrë merita pa sens për çka si takon sikurse janë sipërmarrjer dhe iniciativat private që janë meritë e atyre që guxojnë dhe investojnë.
❗Ka edhe më, por kaq mjafton për të pyetur vërtetë, a jetohet në këtë vend?! Me këtë pyetje retorike Manjani mbyll sintezën e tij për gjendjen në Shqipëri.
⭕ Unë do shtoja diçka që e kam me merak për të theksuar se nuk mund të jemi hipokritë me të vërtetën. Para disa vitesh shërbimi diplomatik dhe ambasadat u mbushën me farefis e krushqi, banka e shtetit, ANTA shumë institucione të tjera u shndërruan në çerdhe familjare pushtetarët e deputetësh se merrnin rroga e dieta të majme qyl e të pamerituara. Kjo tregon një mendësi kolektive sesi e trajtonin pushtetin ata të opozitës së pafajshme që Manjani me ironi thotë pse prapë fajin e opozita e ka?! Po opozita nuk ka sot faj por edhe moral të kërkojë pushtet sërish nuk ka. Të drejtë të kërkojë ka gjithë ditën por moral jo.
⭕Ka edhe të tjera por mjaftojnë këto për të thënë se ka një mal me kusure kjo qeveri si çdo qeveri por gjysmë e vërteta duke amnistuar atë qeverinë që i shtroi themelin e abuzimit kësaj qeverie nuk është e ndershme.
⭕Konkluzioni: populli nuk di më se ku mbaron qeveria e ku fillon opozita, sepse i duken njësoj dhe shpesh opozita dhe më keq se është aq mediokre sa nuk pranon as realitetin e paaftësisë së saj politike dhe pretendon dhe moral dhe integritet kur është ajo themeluesja e degradimit të atij që shumë kush e quan regjim. Ajo ndoshta është trashëguesja e atij që regjimin e ideoi, realizoi dhe zbatoi.
Pyetja është a ndryshojmë dot dhe si⁉️