Tregimi/ UNË JAM DJAL’ I KURVËS
-Botuar 7 vjet më parë këtë tregim po e ribotoj përsëri si klithmë e ngjirur për gratë dhe vajzat shqiptare që vriten çdo javë nga “burrat” e tyre.-
1.
Kriza greke na goditi rëndë edhe ne si familje. Babai mori vendimin final për t’u kthyer në vendlindje, ndërkohë që më dukej sikur vetëm unë ndjehesha më i persekutuar nga të gjithë.
16 vite jetese në Athinë më kishin rritur e burrëruar dyfish, ca prej të qenurit i huaj, ca prej sikleteve në familje, e ca prej rropatjeve mes shkollës dhe punës.
Dy vjeç isha larguar nga vendlindja dhe kthimi në të nuk ishte emocional aspak.
Më dukej si një sfidë, që ose do e mposhtja, ose do më zhyste në një depresion pa kthim. Po lija pas frustrimin alla grek në familje, shoqërinë, stilin e jetës, shkollën, paratë që fitoja nga puna e pjesshme, argëtimet e çmendura, të dashurat…
Qyteza ku kisha lindur, nuk ekzistonte aspak në hojet e memories time. Nuk kisha fare lidhje me të, por për të ngushëlluar veten, po e quaja aventurën e radhës.
E para gjë që prindërit e mi bënë për mua, ishte konvertimi i studimeve dhe regjistrimi im në gjimnazin e vetëm të qytetit. Më pas, pa humbur kohë, me kursimet e kurbetit dhe me guximin e tepruar tipik të babait, morëm me qira një ambient, u blenë pajisjet dhe çelëm një furrë buke paksa më ndryshe nga furrat e tjera që operonin gjysëm ilegalisht në qytet.
Prindërit e mi dhe unë modestisht kishin punuar shumë kohë në Athinë si furrtarë e për ta profesioni ishte i lehtë, vështirësia hasej vetëm te sesi do avanconte suksesi i biznesit.
Vendlindja ime këtu në Shqipëri, megjithëse ka një emër të mirë dhe njerëz nikoqirë, mbetet aq e varfër, sa herë-herë dukej sikur njerzit do të ndalonin edhe të ngrënin. Fatmirësisht goditëm në shenjë dhe furra jonë e vogël u bë me emër.
Një nga mësueset e mia në gjimnaz, një ditë gjatë orës së anglishtes ma “plasi” mes klasës, natyrisht në gjuhë të huaj:
-Mirë që erdhët ju se na ishte mykur stomaku me bukët e lodhura. Jeni jo vetëm punëtorë e të pastër, por jeni edhe të bukur, sidomos ti dhe jot ëmë ndriçoni pas banakut kur shisni…
Unë vazhdoja të ndiqja të njëjtin ritëm jete edhe këtu në këtë humbëtirë. Shkollë, palestër, basketboll, ndihmë prindërve te furra e bukës.
Pjesa më e bukur ishte kur shiste nëna dhe unë, ngaqë meshkuj të lodhur dhe vajza të reja e dinin orarin tonë e dyndeshin të blinin prodhimet tona dhe flirtonin me ne. Qeshja me veten sepse sa primitive dukeshin gjuajtjet e tyre ndaj nesh, aq edhe dëshpëruese liria e tyre e cunguar.
Megjithëse po bënim më shumë se një vit që ishim kthyer, unë shumicën e eksperiencave seksuale i kisha me studentet që vinin nga Tirana.
Ato më dukeshin më të ftilluara e më të çlirëta. Dinin si puthej, dinin si të të morniconin edhe trupin kur bëje seks. Ndryshe nga këto laraskat e këtushme e qanin edhe seksin oral. Megjithëse kot mburresha dhe unë.
Si djalë edhe unë lirinë time treçerekëshe e kisha. Babai, që s’e bëj dot shok, ma nxinte ditën.
Duke jetuar në një qytet të vogël, të vogël ma kishte lënë dhe lakun e argëtimeve në fytin tim.
Zyrtarisht në familje, megjithëse ishim vetëm tre vetë, nuk i kishim dhënë njëri-tjetrit lirinë dhe konfidencën e duhur. Babai, tipik si prej këtyre anëve, kontrollonte jo vetëm financat e familjes, por edhe shkollimin tim, oraret e mamasë gjatë punës, njohjet e mia.
Për të qenë i sinqertë, babai kishte filluar të na nxinte jetën më keq se bukët e djegura kur i harronim gjatë natës në furrë, por unë si mashkulli i dytë në vatrën tonë, kisha fiksim të aktroja si toger.
Një nga arsyet pse e doja kthimin e sforcuar në Shqipëri ishin edhe prindërit.
Qyshkur im atë më pëshpëriti një herë në vesh për time më, gjithçka ndryshoi në mua:
-Ti tani je burrë, kishte afruar buzët e ujdisura me mjekrën e zezë pranë veshit tim. Ti tani je 13 vjeç dhe kupton nga dynjaja, vazhdonte monologun babai një natë të Vitit të Ri kur si familje kishim shkuar të argëtoheshim me miq grekë e shqiptarë.
Unë, i hutuar nga atmosfera festive, nuk po ua kapja fillin fjalëve të babait, e ngaqë fryma e tij e nxehtë, mpleksur me uzon e festës, më gudulisnin deri poshtë daulles së veshit, e mora si një nga broçkullitjet e dehjes. Por babai kokëfortë si gjithmonë ngulmonte edhe më:
-E shikon mamanë tënde?
-E shikon si e shikojnë këta pushtat rreth e qark?
-E shikon si e përpijnë me sy sikur ta kenë gruan e tyre?
-E shikon kur kërcen kjo jona? Të gjithë shtangen si statujat e Akropolit!
-E shikon…? Jo vetëm unë, por edhe ti duhet ta ruash tët ëmë se jemi refugjatë dhe greku ta përlan. Ta përlan si gruan e Sotirit, ta përlan e të le ty rrugëve dhe mua si kukudh. E shikon???
Mbaj mend që mbylla sytë, mbulova fytyrën me duart e djersitura dhe nuk doja të shikoja nga turpi që ndjeja as njerëzit vërdallë, as babain që më krisi frymëmarrjen dhe as mamanë që qeshte me gratë e tjera dhe shkëlqente mes tyre.
Pas fjalëve, babai iu kthye pijes me dolli, ndërsa unë rrëshkita për në tualet. U kyça brenda banjës dhe kundroja veten në pasqyrë. Doja t’i flisja vetes, por fjalët e babait më bënin sa me turp aq edhe agresiv. Viti i ri që gdhiu pas pak minutash më gjeti më të rritur e më të përgjegjshëm.
Tani e tutje, veç obligimeve modeste të fillim adoleshencës, më duhej të ruaja si gardian edhe nënën.
Ajo ishte vërtetë e bukur, me forma llahtar të frikshme dhe bukuria e saj më kallte datën. Kisha frikë se mos ma rrëmbenin grekët, shqiptarët, armenët, bullgarët, arabët, rumunët. Bukuria e nënës dhe xhelozia e babait më kishin tjetërsuar. Po e shikoja nënën me sy tjetër dhe ende nuk e kuptoja se xhelozia ime ishte e tepruar!
Asnjëherë nuk i rashë në sy mamasë. Prej distance e kontrolloja me sy kur dilnim jashtë shtëpisë në Athinë ose kur shkoja i rrija te furra e bukës. Madje, edhe punën e nisa si çirak krejt i vogël me qëllim mësimin e zanatit dhe mbikëqyrjen e saj.
Çdo blerës mashkull më dukej sikur vinte enkas për të, por t’u them të drejtën, ashtu fshehurazi ndjehesha edhe mirë. Babai, si shqiptar i djallëzuar, kishte kombinuar çdo orar të saj për të mos e lenë vetëm asnjë herë.
Kur mbaronte punë ai, e zëvendësoja unë, dhe kur unë mungoja, ai nisej vërtik pranë saj. Isha i sigurt që mamaja e kishte nuhatur lojën e ne meshkujve dhe kurrë asnjë herë nuk e dha veten. Punë, shtëpi, vizita dhe shopping familjar, gjithçka që bëhej në shtëpinë tonë, ajo nuk braktisej.
Madje, madje edhe kur fillova të ngacmohesha me greket e shkollës, edhe kur puthja fshehurazi në ndonjë klasë mbetur bosh, nuk kisha nerva që puthjen ta zgjasja pa fund. Më fanepsej ajo, ime më, dhe dukej sikur edhe ajo puthej fshehurazi si unë, por jo me babain.
Indiferenca dhe urtësia e nënës karshi planit tonë, e tërbonte babain. Nëna thjesht buzëqeshte ëmbël edhe kur babai i bërtiste, i afrohej e i mbështeste kokën me flokët e bukur mbi supet e tij.
Ai e shtynte duke e lenë të vetme të ngrirë më këmbë ku i shquheshin në siluetën e profilit vithet dhe gjokset e saj plot forma të plota.
Unë ndjehesha mirë dhe keq njëkohësisht e doja ta përqafoja mamanë time, por nga dritarja që kishte hapur në kokën time babai, më dukej sikur shikoja ata, ushtarët dashnorë të pafund që gjuanin dhe ngacmonin seksualisht nënën time.
-Edhe atyre kështu u buzëqesh mamaja ime, fantazoja i lebetitur dhe porsi babai, unë doja t’i bërtisja nënës.
Kriza greke shtoi edhe krizën e besimit në familjen tonë dhe ardhja në Shqipëri m’u duk një taktikë sa e zgjuar, aq edhe e sforcuar e babait.
Ai mendonte se duke u kthyer në një qytet të vogël, do të kontrollonte më shumë nënën.
Ndërkohë unë sa më shumë rritesha, aq më shumë kuptoja se me mamanë ne po luanim keq. Ndryshe nga ç’e prisja, ashtu si babai, vendlindja jonë na stabilizoi pakëz financat, por po na shkatërronte si njerëz.
2.
-Oooooooou, bërtiti Genci, shoku im i klasës e u plas në tokë si brumi i bukës që dryj me duar në furrën tonë. Ooooou, më vrave o shkërdhatë, më shau klithshëm shtrirë mbi fushën me barin kauçuk të kalçetos ku po luanim atë mbrëmje.
-Mos shaj, iu hakërreva duke e parë nga lart poshtë. Qepe gojën se të mbys, i klitha dhe unë i djersitur nga loja dhe nga ofendimi.
-Ti më rruan trapin, m’u përvesh ai dhe të tjerë djem i erdhën në ndihmë
-Mbylle gojën grek muti, ma përplasi të sharën e dytë portieri i skuadrës time.
-Ik ore pederast, u hodh një i tretë. Ik o të shkërdhefsha mamanë, që e ka dashnore Kleoja, trajneri i futbollit!
Nuk pata kohë ta përpunoja të sharën e fundit se moria e grushtave më bombardoi. Nuk munda të numëroja dot as numrin e boksierëve dhe as lumin e të sharave, të cilat fillonin e mbaronin vetëm me pallimet dhe dashnorët e nënës time. Brenda pak sekondash, u enjta me grushta dhe me emra kollovarësh që për gati 12 muajt e fundit kishin bërë namin në provincën e humbur me nënën time të bukur…
E kisha vënë në gjumë xhelozinë për mamanë që im atë ma kishte injektuar një natë dimri në Athinën perverse dhe hipokrite. Bashkë me xhelozinë e zgjuar, zgjova dhe retrospektivën e vitit që po kalonin në qytezën e plakur.
U bëja inventar të gjitha insituatave në shtëpi, në dyqan, në kafene, në rrugë, ndjekjeve “rastësore” që u bëja ecejakeve të mamasë dhe asnjë herë nuk më dilte askush i dyshimtë.
Madje mbaj mend kur më zinte gjumi fundjavave që punoja me të në furrën e bukës, ndjeja tek më puthte e më ledhatonte në fytyrë duke më lenë veç njollave të dashurisë edhe njollat e bardha të miellit. Kisha frikë ta doja nënën time, sepse edhe muret, rrugët, lulishtet bashkë me njerzit e qytetit po ma tregonin me gisht si të përdalë. Një prej vajzave që refuzova ta kisha të dashur, më goditi porsi shokët e futbollit me një sms në celularin tim:
-Ça pret nga doçi i një baxhelle, që e solli burri nga Greqia se nuk la pensionist grek pa bërë seks me evro!
Paqja mes meje dhe nënës u prish përgjithmonë. Tani në shtëpi ishim bërë dy burra që e gjykonim çdo sekondë, e kontrollonim gjithçka të saj, po ia neverisnim të qenurin edhe nënë, edhe bashkëshorte. Babai u bë më agresiv edhe në alkool, edhe në dhunë, ndërsa unë e ndjeja se po perversohesha si shtazë. Nuk rrihej më nëna në dhomën e gjumit, por kudo nëpër shtëpi, edhe në syrin tim.
-Buçet kështu e duan, më udhëzonte babai dhe në sytë e mavijosur të nënës nuhasja pushtetin dhe kanibalizmin tim.
-Trego ku shkërdhehesh me atë mut trajneri, pyeste babai, ndërsa unë nuk gjeja dot edhe sikur një shkëndijë fakti a prove. Heshtja klasike e mamasë na detyroi që një mbrëmje t’i shkonim trajnerit të ekipit të qytetit në shtëpi e teksa i trokitëm në derë, ia nximë sytë dhe buzët pa i lenë kohë për shpjegim.
Policia, prokuroria, qyteti, shkollat, spitali, dyqanet, kafenetë tashmë kishin material të bollshëm dhe historia e nënës time ecte paralel me episodet e telenovelave të trishtueshme turke.
Në furrën e bukës njerëzit më tepër justifikonin blerjen e ndonjë panineje vetëm e vetëm të shikonin mamanë të kalbur nga druri dhe iknin me fytyra të ngërdheshura. Biznesi ynë po rrudhej, ndërsa nëna nuk ishte më e bukur si më parë. Qyteti kishte filluar të harronte hallet e tij, derisa një ditë u zgjua edhe ai i shtangur.
Para 3 javësh, nëna ime i iku kësaj bote duke u hedhur nga kati i pestë i pallatit ku jetonim. Varrimi i saj më trembi dhe më goditi me grushta, me shpulla, me shkelma… Njerëzit ishin të gjithë aty dhe qanin. Qanin ata që e vdiqën. Mendova, edhe unë kontribuova në vrasje e a s’mund të qaj bashkë me ta?
E fillova të qaj me dënesë sepse më vinte inat me veten, qaja sepse e etiketova në heshtje dhe veten si djali i një kurve, por kurrë nuk ia gjetëm dot dashnorët që flinin në fantazitë e mendjes time, në fantazitë e mendjes së babait tim.
Tiranë, mars 2014