AUTORITETI I DOSJEVE TË SIGURIMIT, CENSURË E RE MBI CENSURËN E VJETËR
Sula: Askush të mos flasë pa miratimin tim/ Marku përgjigjet me “mosbindje” ligjore
Askush nuk është aq i pasur sa të blejë të shkuarën. E kjo natyrisht vlen kudo e mbi këdo. Por, mëkatet e Sigurimit të Shtetit kanë ende fuqi shkatërruese, për të vërtetën dhe zbardhjen e saj, pas krimeve të tmerrshme të kryera kur ata qeverisnin vendin. Ndërsa sot janë strehuar sërish nëpër shumë zyra publike të pushtetit.
Duket se censura është bërë fe e pushtetit aktual, në çdo institucion. Pavarësisht nëse është qeveritar, parlamentar, kushtetues, thjesht është emergjencë e urdhëruar të mos dalin qëndrime, reagime e deklarime, të cilat nuk kanë marrë bekime nga udhëheqjet partiake drejtuese më herët. Kjo, me sa duket po ndodh edhe në Autoritetin e Dosjeve, ku drejtuesja Genta Sula ka qortuar zyrtarisht, një nga të emëruarit e opozitës në këtë komision nga Kuvendi. Kjo, sepse është shprehur në një takim shoqatash të të përndjekurve në Shkodër, me 30 shtator 2024, për medien Zëri i Amerikës dhe me sa shihet përmbajtja e pohimeve, nuk ka qenë sinkronë e dëshiruar nga titullarja. Reagimi i zonjës Sula, duket se nuk ka marrë as miratimin e Bordit në rastin konkret, duke mos pasur shumicë në sjelljen institucionale. Shantazhi censurë është bërë në adresë të përfaqësuesit në këtë Autoritet të Dosjeve, të të zgjedhurit pas propozimit të opozitës, Gjergj Marku.
Me 9 tetor 2024, zonja Sula i dërgon një email zotit Marku, lidhur me reagimet, takimet e qëndrimet e tij mediatike, si anëtar i Autoritetit të Dosjeve
Ndër të tjera, në këtë qëndrim, zonja Sula i shkruan zotit Marku se:
“…sipas ligjit, unë jam caktuar si i vetmi person që mund të autorizojë udhëtime dhe aktivitete zyrtare si dhe të përfaqësojë AIDSSH-në me palë të treta, dhe çdo anëtar tjetër pjesëmarrës në takime, që bën deklarime në emër të Autoritetit është në kundërshtim me rregulloren dhe ligjin. Kërkoj të më informoni në përgjigje të këtij e-maili për takimet e përmendura në medie nëse këto qëndrojnë dhe në takime të tjetra të paautorizuara, ku keni marrë pjesë, natyrën dhe objektivin e tyre …”
Në të njëtën ditë ka reaguar zoti Marku, duke i kthyer përgjigje zonjës Sula. Në përgjigjen e tij Marku thekson se: “…kjo është formë kufizimi, ndikimi e ndërhyrjeje e papranueshme nga ana juaj ndaj detyrës time, e cila nuk gjen zbatim në ligjin e posaçëm nr 45/2015 dhe normat e tjera ligjore që rregullojnë ushtrimin e detyrës së anëtarëve të institucioneve të pavarura dhe organeve kolegjiale vendimmarrëse. Aktiviteti publik në formën e tryezës së bashkëbisedimit, të cilës ju i referoheni, ka të bëjë me një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë aktivitetit të datës 30 shtator 2024 në Shkodër, organizuar nga Shoqata dhe degët e Shoqatave të ish-të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, me pjesëmarrës, krerët e tyre, ku unë kam qenë i ftuar dhe i pranishëm për të përcjellë mendimin tim të pavarur e të pandikuar dhe si mbështetës i kauzave të kësaj shtrese shoqërore, për të transmetuar gjithë informimin mbi proceset e njohura publikisht që kanë ndodhur me këtë shtresë ku unë bëj pjesë. Dhe si prejardhje shoqërore, si anëtar i këtij bordi vendimmarrës dhe si person i vetëm i propozuar nga këto të fundit, për të qenë anëtar i bordit të AIDSSH, ju bëj me dije se nuk mund të më ndërhyjë, ndikojë apo kufizojë askush, asnjë individ apo institucion në përmbushje të këtyre detyrimeve funksionale, që ka përcaktuar ligji i posaçëm dhe ligjet e tjera në fuqi…përmbajtja me email, dërguar nga ju është e paparanueshme dhe nuk konsiderohet nga unë për tu zbatuar përgjatë mandatit tim si anëtar bordi pranë AIDSSH. Së fundmi kërkoj që kjo ndërhyrje që u konsiderua nga unë një cenim i ushtrimit të funksionit tim pranë Autoritetit, nuk duhet të përsëritet më, pasi do të nevojitet që të kalohet si çështje dhe lëndë menjëherë për tu trajtuar nga organi epror kushtetues, siç është Kuvendi i Shqipërisë, Komisioni i Ligjeve dhe komisioni përgjegjës që vlerëson të drejtën e informimit, ai i Komisionit për Edukimin dhe mjetet e Informimit Publik.”
Lajmi i këtij aktiviteti në Shkodër, me titull “rreth vonesave në kërkimin dhe gjetjen e të pushkatuarve nga regjimi komunist”, është përcjellë nga VOA dhe një ndër qëndrimet e përfshira në kronikën e Zërit të Amerikës, ka qenë dhe ai i zotit Marku. Ndër të tjera ai ka pohuar në këtë kronikë të VOA-s se “Ne aktualisht presim edhe një VKM që shpresojmë të bëhet nga qeveria për të filluar me gjetjen e tyre. Në këtë moment jemi në kuadrin e kërkimit dhe gjetjes së dëshmive. Kemi caktuar vendet e ngjarjeve në të gjithë territorin, ku ne mendojmë dhe shpresojmë të gjejmë këto persona të zhdukur në regjimin komunist.” Folësit e tjerë në takim kanë qenë më kërkues ndaj harresës dhe mosmbështetjes për të mundësuar gjetjen e eshtrave të të vrarëve, ku regjimi ka pushkatuar mbi 6 mijë të përndjekur.