Të përndjekurit politikë janë zeri i Atdheut dhe demokracisë
Ata sot duhet të rreshtohen në krah të Lulzim Bashës dhe SHBA-së
Nuk janë minoritet as pakicë, janë gardianë të lirisë
Janë kolona vertebrale e nacionalizmit shqiptar
S’mund të ketë liri, demokraci, shtet të së drejtës, as integrim europian pa protagonizmin e të përndjekurve politikë
Unioni Kombëtar i të përndjekurve politikë të Shqipërisë, organizata me e madhe shqiptare e njëherësh zëdhënëse e qindramijëra shqiptarëve dhe familjeve patriote e nacionaliste të cilët për gjysëm shekulli përjetuan dhunën dhe terrorin barbar komunist, ka vite që vazhdon betejën demokratike e morale për të drejtat legjitime të kësaj shtrese, e cila ka një kontribut fondamental në përpjekjet e popullit shqiptar për liri, pavarësi shtetformim, e njëherësh për orientimin e Shqipërisë në krah të perëndimit dhe SHBA-së.
Gjyshërit e baballarët e përfaqësuesve të tyre janë pinjollë të familjeve më të shquara të Kombit Shqiptar, etërit e pavarësisë kombëtare dhe arkitektët e shtetit modern shqiptar, i cili identifikohet me periudhën e Monarkisë Shqiptare në vitet 1928-1939.
Të përndjekurit politikë janë me të vertetë Legjioni i Nderit i demokracisë, patriotizmit dhe civilizimit shqiptar.
Nacionalistët shqiptarë, të cilët identifikohen me këtë shtresë të shoqërisë dhe liderët e tyre janë të parët që e pritën me pushkë okupatorin Italian dhe u hodhën në zjarrin e betejave për liri.
Ata janë garibaldët tanë e lavdia jonë e përjetshme sepse krahas luftës për çlirim me kuvendet e mëdha historike të Pezës, Mukjes, Bujanit në Malësinë e Gjakovës hodhën themelet e bashkimit kombëtar si një aspiratë themelore e shekullore e shqiptarëve në trojet e veta etnike në Ballkan.
Diktatorit Hoxha dhe shpurës si tij siç thonë nga Kosova nuk ua ndjeu hiç për të drejtat legjitime, njerëzore dhe juridike të kësaj shtrese.
Ata janë përgjegjës para historisë, jo vetëm për instalimin në Shqipëri të diktaturës më të egër në Europë dhe izolimin e vendit, por përtej këtij fakti historik këta kmerë të kuq janë autor të krimeve të tmerrshme ndaj popullit të tyre, të cilët në konventat e të Drejtën Ndërkombëtare Juridike klasifikohen si krime kundër njerëzimit.
Në burgjet e gulakët e diktaturës dhe në ekspeditat ndëshkimore të drejtuar nga oficerë të zbulimit sllavë serbo- rusë janë pushkatuar pa gjygj e janë zhdukur mijëra shqiptarë.
Janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore, pa kursyer as personalitete të shquara të klerit të lartë, të formatit rilindas që vdiqën në torturua, si Imzot Vinçens Prenushi, primati i kishës katolike shqiptare apo trajtimi kanibalesk i Imzot Visarion Xhuvanit, themeluesi e drejtuesi i kishës ortodokse autoqefale të Shqipërisë.
Në vitet e para të instalimit me dhunë e terror të diktaturës në vitin 1947 komunistët ekzekutuan në mënyrë të pamëshirëshme grupin e deputetëve opozitarë të dalur në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, mes të cilëve Sheh Ibrahim Karbunarën, të cilit para se ta ekzekutonin ia pushkatuan para syve të birinn Hysenin.
Plumbat e shumtë ia banë gjoksin shoshë dhe kufoma e tij ra mbi atë të birit.
Skena të tilla makabre janë të denja për filmat e Hiçkokut.
Eshtrat e tyre nuk dihen as sot ku janë, nuk u gjetën kurrë.
Ky është epilogu i llahtarshëm i veprimtarit të madh të çeshtjes kombëtare, përkrahësit të fuqishëm të Ismail Qemalit për shpalljen e pavarësisë, njëri prej organizatorëve kryesorë të Kongresit të Lushnjes dhe kryetar nderi i tij, simbol i parlamentarizmit, kontribues i madh për çlirimin e Shqipërisë Sheh Ibrahim Karbunara, vetëm për faktin se e donte Shqipërinë të lirë pa komunizëm.
Me një skenar tragjikë në të njëjtin vit ekzekutuan Baba Faja Martaneshin dhe Baba Fejzon duke ia lënë autorësinë e këtij krimi të shëmtuar Dede Abazit, i cili me pas vrau veten sipas komunisteve barbarë.
Një alibi të tillë qesharake nuk e pranon askush.
Të tre i ka vrarë dora gjakatare komuniste.
Internimi i mijëra familjeve nga veriu i Shqipërisë drejt kampeve të vdekjes së Tepelenës e zonave të tjera të jugut.
Konfiskimi i pasurisë së tyre.
Shfrytëzimi shtazarak në punë skllavëruese e të papaguar.
Vdekja e tyre në burgjet e kampet e internimit.
Mohimi i të drejtës për të patur një varr të vetin.
Të gjitha këto janë krime të shëmtuara kundër njerëzimit dhe të kujtojnë epokën e gjygjit të shtrigave të perandorive barbare të mesjetës.
Të përndjekurit politikë, këta njerëz fisnik dhe atdhetar kishin 1000 arsye të hakmerreshin kundër barbarëve që i përsekutuan, e ndaj familjeve të tyre.
Por ata nuk e bënë këtë, në emër të atdheut dhe të ardhmes sonë të përbashkët.
Monstrat e diktaturës meritonin plotësisht të viheshin para drejtësisë në një gjygj alla – Nuremberg e të përgjigjeshin për krimet kundër njerëzimit, të cilat nuk parashkruhen asnjëherë sipas konventave ndërkombëtare.
Por kjo fatkeqësisht nuk ndodhi, e xhelatët e morën faljen nga viktimat e tyre si një akt dobësie e frike.
Nëse në kohën e diktaturës është zbatuar një politikë dhune e apartejdi ndaj kundërshtareve politikë që përfaqësohen nga kjo shtresë në periudhën 30- të vjeçare postkomuniste ka pasur një indiferencë të pafalshme nga politika, shteti dhe institucionet e tij.
Problemet e mëdha të të përndjekurve politikë, e në radhë të parë denimi shembullor i xhelatëve, dekomunistizimi e despiunizimi i politikës dhe organeve kushtetuese, të drejtësisë dhe organeve ligjzbatuese, arsimimi, dëmshperblimi, kthimi i pronave dhe integrimi i tyre i plotë në jetën sociale, ekonomike e politike të vendit akoma kanë mbetur pa u bërë realitet.
Të përsekutuarit e regjimit komunist janë kolona vertebrale e demokracisë e nacionalizmit shqiptar.
Ata janë ikona e vertetë e Shqipërisë Europiane, udhërrefyesit e rrugëtimit tonë drejt kombeve të lira të hapsirës euroatlantike.
Nuk janë racë e ulët që kërkojnë lëmoshë e privilegje nga shoqëria dhe shteti, të cilëve u kanë dhanë kaq shumë.
Nuk ka asnjë vepër të madhe të ndërtuar në kohën e diktaturës komuniste që nuk ka në themel të saj mundin djersën e gjakun e tyre.
Ata janë detyruar të punojnë në kushte të rënda e çnjerëzore, njësoj si afro- amerikanët në shekullin e XVIII- të.
Ju është mohuar brutalisht e drejta e shkollimit, e përfaqësimit, e drejta e shenjtë për të patur një varr.
Qindra- mijëra familje kërkojnë edhe sot të afërmit e tyre të zhdukur nga diktatura e kasapët e saj, ndërkohë parlamenti, qeveria, institucionet e shtetit janë mbushur plot e përplot me bijtë e bijat, nipat dhe mbesat e etërve mizorë.
Në çdo vend serioz të botës shteti dhe institucionet e tij konceptohen si vazhdimësi në kohë dhe hapsirë.
Asnjë president apo kryeminister shqiptar përgjatë 30- viteve nuk u ka kërkuar falje të përndjekurve politikë në emër të institucioneve që përfaqësojë për vuajtjet dhe përsekutimin e tyre.
E pra Ati i Shenjtë Gjon Pali i Dytë pati kurajon t’u kërkonte falje amerikanëve pas 600- vitesh për sjelljen e padenjë të Kristofor Kolumbit kur zbarkoj në këtë kontinent.
Sllogani “Bashkëvuajtës e bashkëfajtorë” i adaptuar nga Sali Berisha, i përdorur sistematikisht gjatë këtyre tre dekadave ku u barazuan viktimat me xhelatët, ua dha mundësinë shumë prej këtyre të fundit ta kapin si oktapod demokracinë, kurse të përndjekurit politikë të mbesin gjithnjë të diskriminuar e të paintegruar.
Ky fenomen tragjiko- komik i demokracisë shqiptare trajtohet në mënyrë të përsosur tek filmi “Vdekja e Kalit”.
Edhe ndonjë i përndjekur që është bërë pjesë e trupës politike gjatë këtyre tre dekadave nuk ka bërë asgjë për këtë shtresë fisnike të Kombit Shqiptar.
Të përndjekurit politikë në fakt janë identiteti, fytyra, shpirti, palca e Partisë Demokratike, misionares së kombit që rrezoj diktaturën dhe institucionalizoj demokracinë, prandaj është momenti historik sot që Kryetari i saj z Lulzim Basha, i zgjedhur me një anëtar një votë të spastrojë shtepinë e lirisë nga simbolet, sherbëtorët e diktaturës, mendesitë bolsheviko- sllavo- komuniste, arrivistët sepse ka mbështetje absolute nga të përndjekurit politikë, të cilët në unison duhet të rreshtohen në krah të Bashës që çliroj institucionin e kryetarit nga autokratizmi dhe tentakulat e Ayatollah Khamenein.
Partia Demokratike e mbetur prej 30 vitesh si levizje duhet të kthehet në parti politike konservatore.
Të përsekutuarit janë e djathta reale e Shqipërisë, nisur nga prejardhja, historia e vizioni i tyre për demokracinë e shtetin e së drejtës.
Të përsekutuarit kanë në radhët e tyre figura të spikatura e me kontribute të mëdha.
Ata duhet të përfaqësohen në të gjitha nivelet qeverisëse.
Kush i ka sherbyer diktaturës, neodiktaturës dhe ka institucionalizuar regjimin atokratik nuk mundet të rithemelojnë të djathtën tani pas 30 vitesh.
Diskriminimi politik është taktikë e strategji që ndjekin regjimet autoritare, neodiktatoriale në shtetet multietnike ndaj pakicave.
Të përndjekurit nuk janë minoritetet as pakicë.
Ata janë zëri i atdheut dhe gardianë të lirisë.
Sot duhet të jenë aleatët e z Basha për ti dhënë fund autokratizmit berishian.
Fundi i autokratizmit berishian është fundi i absolutizmit politik nga njëra anë dhe mercenarizmit nga ana tjetër.
Sot është koha e një epoke të re.
Dumbabistat që të ngjajnë me vullnetarët e Enver Hoxhës duhet ta kuptojnë se PD mundet dhe pa Berishën dhe është me e fortë pa Ayatollah Khamenein.
Konfuci i lashtë na ka lëne një maksimë:
“Diellit që perëndon dhe burrit që bie i mbyllet dera”
Bashke me perëndimin e diellit ka perënduar edhe Berisha.
Berisha ka perënduar dhe renë pa lavdi.