Rrënjët e Universitetit Qiriazi shkojnë prapa në vitin 1922, kur Parashqevi Qiriazi (1887-1971), Sevasti Qiriazi (1871-1949) dhe Kristo Dako (1876-1941) themeluan Institutin Femëror Kyrias në Kodër-Kamëz. Ky institut u ngrit për të nxitur emancipimin, arsimimin, barazinë gjinore, të drejtat si individ, dhe fuqizimin e statusit dhe rolit shoqëror e politik të gruas shqiptare.
Që nga viti 2016 ish Instituti Femëror Kyrias, dhe ish SHLJP “Sevasti & Parashqevi Qiriazi” rihapi dyert si Kolegji Universitar “Qiriazi”. Më iniciativën dhe investimin e Grupit Investues “Uldedaj”, Qiriazi hapi edhe njëherë dyert për edukimin universitar. Në angazhimin e tij për rivënien në funksionim të institucionit, Grupi “Uldedaj” është nisur jo vetëm nga eksperienca praktike dhe lidhjet e ngushta të investitorëve kryesorë në fushën e arsimit dhe veprimtarisë akademike, por edhe nga dëshira për të mbajtur gjallë emrin dhe traditën e Motrave Qiriazi dhe institucionit të themeluar prej tyre.
Universiteti Qiriazi sot synon të mbështetet në modelet më të mira të funksionimit të institucioneve universitare në arsimin e lartë. Misioni tij mbetet ofrimi i një arsimimi cilësor në nivelet e arsimit Profesional, Bachelor dhe Master. Baza e realizimi të këtij misioni mbetet kombinimi i mësimdhënies me kërkimin shkencor dhe vënia në epiqëndër të vëmëndjes e studentit dhe të ardhmes së tij.
Universiteti Qiriazi funksionon mbi vlerat e integritetit, respektit, pergjegjshmërisë, cilësisë akademike, transparencës, dhe lirisë akademike. Si institucion i arsimit të lartë i akredituar nga ASCAL, Universiteti Qiriazi synon të ofrojë arsim dhe diploma jo vetëm në fushat e drejtësisë dhe ekonomisë por edhe në degë të tjera.
Zhvillimi dhe zgjerimi i fushave të veprimtarisë së tij akademike jo vetëm do të pasurojë trashëgiminë e Familjes Qiriazi por edhe shndërroj këtë traditë në një burim të përhershëm të cilësisë në arsim dhe kërkim shkencor në Shqipëri.
Universiteti “Qiriazi” , i ofron studentëve mundësi për klube studentore të ndryshme. Si përshembull: Klubi i Librit, kryetare e së cilës është Armela Drapi.