*Sot, poeti Hazir Luta nga Kosova, autor i 9-të librave, më dhuroi serinë interesante poetike të Katër Stinëve, si dhe librin e tij të fundit ” Me ty jo/ Pa ty kurrë”.
Me këtë buqetë vargjesh stampuar në hapin e kohës, ndihem e privilegjuar për bashkëpunimin në korrektimin dhe redaktimin e vëllimit “Stina e parë”.
Duke i uruar suksese në krijimtari autorit, po ndaj me lexuesit fjalët e parathënies së këtij libri…
• Refleksion ndaj librit me poezi “STINA E PARË”
të poetit Hazir LUTA
“Do bëj çdo ditë një poezi për lexuesin”
Këto ishin fjalët e poetit Hazir Luta që më befasuan e më lanë mbresa në bisedën tonë të parë.
Poet i dashuruar me poezinë, por edhe dashamirës e besnik ndaj lexuesit. Si i tillë del poet i vërtetë i dashurisë reale me zërin human në poezi, me atë ndjeshmërinë e brishtë që e karakterizon por të shprehur në mënyrë modeste dhe fisnike.
I qetë në portretin e tij, por përbrenda vlon nga një dallgëzim ndjenjash dhe emocionesh të cilat depërtojnë mjeshtërisht nëpërmjet sinqeritetit të vargjeve.
E tërheq magjia e fjalës drejt ëndërrimeve që udhëtojnë me krahët e fluturës, cicërimave të zogjve dhe endjes së shpirtit.
Thekson fuqinë hyjnore të dashurisë me anë të vlagut të mallit të zjarrtë, largësive që vrasin, heshtjes që flet me sytë e mendjes për dashurinë e pashprehur që nuk vdes kurrë, por edhe për ato të jetuarat që nën pikëzat e shijimit treten pak e nga pak…i rigjallëron si vesa që freskon.
Duke qenë një vëzhgues i mirë i kohës dhe realitetit, muza frymëzuese i shpërthen e motivuar edhe nga imazhe që lënë mbresa, nga natyra e detajuar deri te gurgullima tingëlluese e ujit, aroma joshëse e luleve apo fëshfërima drithëruese e një gjetheje.
Poezia e tij është si një udhëtim drite nëpër labirinthet e ndërgjegjies.
Shqetësimi ndodhet në çdo varg mes lotëve, thashethemeve, fjalëve të rigjetura, në kontrastin midis mirësisë e ligësisë, dritës e errësirës, në lakimin mbreslënës mes jetës e vdekjes duke na përcjellë kështu
herë – herë edhe mesazhe paqeje e shprese nëpërmjet vargjeve me perceptime poetiko – filozofike.
Motivet e trajtuara në vargjet e rimuara por edhe të lira kanë larmishmëri: nga dashuria tek vuajtjet e vlerat njerëzore, por duke mos qëndruar indiferent edhe ndaj asaj patriotike, dashurisë plot mirënjohje e përkushtim për atdheun. Patriotikja tek poeti shkon përtej kujtimeve. Është e gërshetuar edhe me lirikën, subjektiven, me kronikën e jetës dhe përjetimet e thella emocionale.
Pra, si një libër me tekst të ngjeshur emocional, poezitë janë shkruar me shpirt dhe po të lexohen po me shpirt, flasin më shumë se fjalët e mia. Arjola KONDAKÇIU


