LOJA E SHAHUT: “JETË NË MINIATURË” HYRJE
Edhe pse ruaj me fanatizëm një kuti shahu të vogël xhepi që nga fëmijëria, kisha 30 vjet pa luajtur shah derisa përjetova emocione mbreslënëse kur rastësisht pashë që në katin e dytë të pallatit të sportit “Ramazan Njala” në Durrës, nën drejtimin e shahistit të talentuar Lorenc Ramaj zhvillohej kursi i lojës së shahut për mosha të ndryshme. Se fsheh ndjesinë pështjelluese që pata kur pashë atë sallë të madhe me tavolina të heshtura dhe kuti e gurë shahu gati për një dorë që t’i lëvizte, por më shkëlqyen sytë nga biblioteka modeste e me tituj të larmishëm librash për shahun shkruar nga mjeshtra si : Sotir Qirjaku, Edmond Bushi, Geri Kasparov etj, midis të cilëve dhe libra me lojëra të zgjidhura, të ilustruara me diagrame e në disa raste të komentuara; përreth kishte dhe pasqyrime në foto të historikut të shahut në Durrës por ajo që është më e rëndësishmja, m’u ngroh zemra nga prezenca e disa lojtarëve që edhe pse të vegjël, nuk u mundonte pasioni e dëshira për të luajtur. Lojtarja më e vogël ishte një vajzë 6-vjeçare, e cila më riktheu vrullshëm mendimet pas në kohë…
“M’u kujtua vetja ime në fëmijëri, ku edhe pse vajzë, prezenca e dy vëllezërve dhe zhvillimi i lavdishëm i lojës së shahut në vitet ”80 ku luhej në shtëpi, stola, parqe e gjatë pushimit të punës, entuziazmonte dhe nxiste pozitivisht të gjitha grupmoshat. Mërzitesha që s’më linin të luaja shumë me kukulla, por edhe ideja e të fituarit në një lojë të tillë ishte joshëse. Por ngaqë si tip prekesha shpejt emocionalisht, vëllai im i madh Ardiani i cili shpeshherë luante edhe me veten duke bërë dhe lëvizjet e kundërshtarit e i shkruante metodat e efektshme (shënime që janë edhe sot pas vdekjes së tij të parakohshme në moshën 32-vjeçare), më inkurajoi që ta forcoja karakterin në disa mënyra:
a) Duke më dhënë ushtrime shahu të lehta fillimisht.
b) Duke më ndihmuar të meditoja rreth disa situatave të një filmi ku protagonisti edhe pse ishte kampion botëror në shah, përsëri kishte raste që duhej të mendohej me orë të tëra për një lëvizje të goditur.
c) Të merrja nxitje nga një foto në një revistë sportive të kohës e bashkëmoshatarit tim Erald Dervishi nga Durrësi, që si talent i spikatur doli Kampion që 12 vjeç ( madje foto të tij ndër vite ku nga mosha 14-18 vjeç ishte kualifikuar dhe vlerësuar si : “Mjeshtër i FIDE-s, Mjeshtër Ndërkombëtar dhe Mjeshtër i Madh” i pashë të vendosura në historikun e shahut te pallati i sportit gjatë vizitës, dhe ishte befasuese për mua që s’kisha më prej vitesh informacione për të në ecurinë e shahut)
d) Duke qenë dhe vetë femër, mund të merrja inkurajim nga Rudina, shahistja e vogël e talentuar te filmi i mrekullueshëm shqiptar “Dy herë mat”, e cila mundi edhe shahistin kampion.
Kështu m’u bë i përzemërt shahu deri në ndryshimet ekonomiko- sociale pas viteve ”90, gjë që ndikoi në zbehjen e kësaj loje dhe në familje e shoqëri “
…Por ja, që mendimet u fashitën sepse më duhej të përqendrohesha te loja e parë pas 30 vitesh me një prej djemtë e kursit, me Ansin e vogël 7- vjeçar, një djalë bukurosh që ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij ngulmonte me një qartësi të paparë vendosmërie në të luajtur dhe…më mundi. E pranoj! Vetëm gurët dija të vendosja dhe disa lëvizje, por metodat i kisha harruar. Ç'ËSHTË SHAHU ?
SHAHU është një lojë jo e populluar si futbolli, por ka specifikën e vet, sepse është më shumë se ajo fusha e ngushtë.
SHAHU është një tipar themelor, një shprehje në edukimin qytetar pasi edukon një sërë cilësish të mendjes të cilat janë përkufizuar nga personalitete të ndryshme si : poezi e luftës së mendjes dhe vullnetit; art që shpreh bukurinë e logjikës; pasqyrim i jetës; muzikë e trurit; miqësi fisnike; botë e planeve të luftës dhe e pasionevetë mëdha etj.
Ndërsa sipas librit “Shahu shqiptar nëpër vite” shkruar me profesionalizëm nga Kristaq Andoni dhe Muharrem Ibrahimi, shahu është konsideruar si ” një sintezë harmonike e lojës, sportit, argëtimit por edhe shkencës, artit e veprimtarisë krijuese intelektuale.
Në këtë mënyrë loja e shahut të lumturon, të zbavit, të befason, të mpreh logjikën, fuqinë llogaritëse, fantazinë , saktësinë e imazhit për atë që do të ndodhë, kujtesën vizuale por edhe shpirtin e iniciativës, të guximit krijues, të qëndresës durimit, qetësisë së brendshme në situata tensioni si dhe vendimmarrje aspak të nxituar. Gjithashtu ngjall shpirtin e garës, të ripërtëritjes teorike të vetvetes, të njohjes së partnerëve por dhe të përvojave e risive që sjell praktika bashkëkohore”.
Prandaj, sipas shkrimtarit L. TOLSTOI,
” Loja e shahut është vetë JETA”! SI LUHET SHAHU?
SHAHU është një lojë strategjike që përcakton idenë e sakrificës. Luhet nga 2 lojtarë në një fushë shahu e cila përbëhet nga 8 rreshta dhe 8 kolona, pra gjithsej 64 katrorë të zinj e të bardhë. Çdo lojtar ka nga 16 gurë: 2 Torra, 2 Kuaj, 2 Oficerë, 1 Mbretëreshë, 1 Mbret dhe 8 Ushtarë. Secili gur lëviz në drejtime të ndryshme. Gurët përdoren për të sulmuar dhe për të kapur gurët e tjerë të kundërshtarit. Ndërsa lojën e hap gjithmonë i bardhi. Objektivi i lojës është lëvizja e quajtur “Shah- Mat”, ku mbreti i lojtarit tjetër është nën kërcënimin e pashmangshëm të kapjes. Beteja zhvillohet në mënyrë të qetë dhe herë -herë në mënyrë të heshtur për një kohë të gjatë deri në gjetjen e lëvizjes së duhur. Proçesi i edukimit të stërvitjes dhe lojërave të zhvilluara imponon respekt për rivalët, sepse përfundon me një shtrëngim duarsh pas takimit.
Shahisti duhet të njohë mirë parimet dhe mënyrën e luftimit shahistik, pra njohuri dhe koncepte themelore që janë baza e strategjisë. Ngjyra nuk ka rol më të rëndësishëm se njohuria, sepse nëse nuk di bazat e hapjes është e lehtë të biesh në pozicionin e humbjes, prandaj duhet edhe një gjykim logjik delikat që të orienton se kur të godasësh dhe kur të tërhiqesh.
Zakonisht lëvizjet bëhen në kohë të shkurtër nëpërmjet teknikave pozicionale dhe strategjike, të cilat llogarisin veprimet dhe të ardhmen e afërt të kundërshtarit. Aftësia për të formuluar teknikat e sukseshme varet nga inteligjenca dhe përqendrimi i kundërshtarit. Si i tillë, përveç talentit, punës e pasionit, shahu është sport që kërkon materiale të freskëta sepse dalin lëvizje të reja.
ORIGJINA DHE ZHVILLIMI I SHAHUT NË SHQIPËRI
*Shahu është zbuluar afro 3 mijë vite më parë, dhe fillimisht është konsideruar si
“lojë mbretërore” ( kurse sot për këdo që e ka pasion).
*Mendohet se e ka zanafillën në Indi në shekullin Vl para erës sonë, e gradualisht gjeti shtrirje gjithandej.
*Burime të tjera identifikojnë Persinë si vendi i fillesës, ku dhe vetë fjala SHAH e ka burimin nga kjo gjuhë që do të thotë “mbret”.
*Shumë të tjerë i japin ngjyrime mistike (si lojë që ka zbritur nga lart).
*Në Shqipëri, sipas burimeve të kohës para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, te ne ka ardhur nga Lindja dhe Perëndimi, dhe këtë e vërteton terminologjia e gurëve të shahut që ishte
turko – arabe – persiane dhe italiane.
*Madje hulumtimet e para i ka filluar në vitin 1935 shahisti dhe matematicieni Sotir Qirjaku.
*Sipas gojëdhënave, loja e shahut ka lënë gjurmë në Shqipërinë Veriore që në vitin 1192 në principatën e Arbrit; e njohur dhe në kohën e Skënderbeut (sepse kishte kalorës të huaj); në kohën e Ali Pashë Tepelenës por edhe në periudhën e Rilindjes nëpërmjet përmendjes në poezitë e Naim Frashërit, Fan Nolit e Ndre Mjedës, të cilët kanë qenë edhe vetë praktikues të lojës.
*Më vonë, pas përhapjes në kafene e shkolla u zhvillua Kampionati i Parë Kombëtar, në 6- 15 Mars 1933 në Tiranë, ku vendin e parë e zuri Xhaferr Çaushi i cili bashkë me dipllomën mori si dhuratë edhe një tryezë shahu bashkë me gurë dhe dy karrige të punuara me dorë.
*Pastaj, për arsye të ndryshme pati uljet dhe ngritjet e veta, derisa në vitin 1953 Shqipëria u bë pjesë e FIDE-s ( Federata Botërore e Shahut), e cila ishte krijuar në vitin 1924 për të organizuar rregullat e shahut në të gjithë botën dhe u njoh edhe nga Komuniteti Olimpik Ndërkombëtar.
*Ndërsa në vitet 1980 – 1990 shahu arriti kulmin edhe me breza të talentuarish si: Fatos Muço, Ilir Seitaj, Altin Çela, Erald Dervishi, Lorenc Ramaj etj, që nuk e braktisën deri në ditët e sotme por kanë investuar me përkushtim tek stërvitja me pasion e disa brezave të rinjsh. Interesante është që e filluan stërvitjen që nga fëmijët e tyre duke zhvilluar kështu
SHAHUN FAMILJAR.
Midis shumë të tjerëve, rastin konkret e pata nga vetë trajneri i shahut në Durrës z. Lorenc Ramaj, i cili më tregoi që e kishte mësuar shahun nga babai i tij në moshën 10- vjeçare dhe gjatë pjesëmarrjes në mbi 7 Olimpiada Botërore kishte fituar shumë çmime e ishte vlerësuar me titullin e lartë “Mjeshtër i FIDE-s”, prandaj bëri të njëjtën gjë me djalin e tij Ergitin, i cili deri tani në moshën 13- vjeçare i ka sjellë 3 kupa fitoreje në shah ekipit durrsak “Teuta”.
- E njëjta gjë ka ndodhur dhe nga prindërit shahist-ë/e
që kishin fëmijë vajza. SHAHU I FEMRAVE ka qenë i njohur në vitet ” 80 ku kanë spikatur: Rozana Gjergji (historia e së cilës u bë edhe film në rolin e shahistes së vogël Rudina te “Dy herë mat”), Ylvije Boriçi, Albana Vuji, Vega Paja, Valbona Bramo etj, dhe ka vazhduar si traditë stërvitjeve edhe pse me një intensitet të ulët pas tranzicionit të tejzgjatur të pas viteve “90, që nuk kurseu as shahun e femrave.MBYLLJE
Edhe pse shahu konsiderohet si “gjimnastikë e mendjes”, angazhim i dobishëm sportiv që ndihmon në largimin e veseve si dhe kultivon cilësi të mira te njerëzit, prapë dështoi si projekt orësh nëpër shkolla.
Për më tepër që edhe Akademia e Shahut ka kufizime moshe, gjë që i penalizon të rinjtë në financim (përsa i përket ndeshjeve individuale në qytete e shtete të ndryshme), edhe pse këto mund të shoqërohen me fitore kundrejt vendit tonë.
Megjithatë, prapë mbetet lojë e popullarizuar; një nga lojërat më të njohura në botë e luajtur nga miliona persona në shtëpi, klupe, internet, korrespodencë dhe në turne të shumta.
Është vërtetuar që “Hipokrizia dhe gënjeshtra zhduken në fushën e shahut”.
Gjithashtu, meqënëse konsiderohet si “një jetë në miniaturë”, është nxjerrë edhe shprehja e goditur që: “Shahu është lojë e inteligjencës, por jo domosdoshmërisht pronë e intelektualëve”.
Pra, si i tillë, mund ta luash edhe ti! PROVOJE!Arjola KONDAKÇIU