“HISTORIA s’mund të kuptohet pa ARKEOLOGJINË”
(Një vështrim rreth 2 librave me përmbajtje historiko- arkeologjike të Jani Koçillarit)
PORTRETIZIM
Në realitetin mes realiteteve të çuditshme, shumë njerëz duan të ikin nga Shqipëria e disa pas shumë vitesh, të rikthehen. Një nga ata është edhe arkeologu dr. Jani Koçillari, të cilin me Durrësin nuk e lidh vetëm ndjesia e origjinës por edhe dëshira për historinë e arkeologjinë. Një njeri që e ndërton të ardhmen në pasionin kërkues ndaj së shkuarës, me një urë lidhëse qytetin e vendlindjes që është si një muze i qytetërimit të lashtë pellazgo- ilir, e që e joshi t’ia zbulojë enigmën akoma të fshehur në shtresimet tokësore. Edhe pse në ditët e sotme arkeologjia nuk është profesion që të krijon alternativa jetese, fakti që J.Koçillari i ka dhënë përparësi këtij pasioni që nga ëndërr të studiojë për ta shndërruar në një profesion të mirfilltë, ka shumë domethënie.
Këtë e kuptova gjatë bashkëbisedimit me të ku për shkak të theksit dhe tingëllimës së përvetësuar të gjuhës italiane, m’u krijua përshtypja sikur po flisja me një italian që di shumë mirë shqip. Dhe, nga ana e tij, interesantja e ruajtjes pastër të gjuhës shqipe edhe pas largimit në moshë të vogël nga Shqipëria për në Itali kishte qenë leximi i librave me tema historike e arkeologjike ndaj fiseve ilire. Kjo i përcaktoi edhe drejtimin e jetës, pasi studioi dhe u diplomua për arkeologji ilire. Madje pas shumë ekspeditave arkeologjike në vende të ndryshme e vizitave nëpër muze, tashmë është njëtrajtëzuar me jetesën shqiptare dhe profesionin për të ndarë eksperiencën me mësimdhënie frymëzuese ndaj studentëve si pedagog në Universitetin e Tiranës, Departamenti i Historisë fokusuar te pjesa e arkeologjisë, si dhe ushtrimin e profesionit në qytetin bregdetar të Durrësit. Nuk janë pak këto arritje, por nga njëra anë, teksa e dëgjoja kur fliste me entuziazëm për Shqipërinë si një minierë e paeksploruar mirë në fushën e arkeologjisë, dhe nga ana tjetër kur më dhuroi dy librat e tij me vlerë shkencore: “Qeramika me figura të kuqe në Shqipëri” dhe “Epiri e Aleksandër Molosi” ( në të cilat ishte specializuar), atëherë më nxiti kureshtja që të përfshihem nëpërmjet lexueshmërisë në brendinë kohore të këtyre kërkim- zbulimeve…
Libri “EPIRI dhe ALEKSANDËR MOLOSI”
Sa e preka librin, lexova titullin dhe pashë figurën e ilustruar në kopertinë, menjëherë m’u kujtua që: “Para shumë vitesh, një miku im shkrimtar që jetonte në Selanik, kur erdhi nuk më dhuroi një libër, por një statujë të vogël të Aleksandrit të Madh. Kur pa çudinë time, filloi të më tregonte gjithë entuziazëm pse duhet ta kishim në shtëpi një figurë të tillë simbolike me një histori karakteri e strategjie nga e cila mësojmë të jemi fitimtarë”.
Deri diku ishte inkurajuese për rrethanat që po kaloja, por edhe pse e kisha patur gjithmonë 10-të historinë në shkollë e më pëlqente, prapëseprapë entuziazmi i tij më mbeti në mendje ndër vite, derisa e pashë në një formë rigjallëruese edhe nga shpjegimi i shoqëruar me një shkëlqim ndryshe të syve e tonacionit të zërit të zellshëm të dr. Koçillari në momentin që më dhuroi librin.
Dhe kishte të drejtë, sepse ndërkohë që informacionet që dija më kishin ndihmuar të kisha një perceptim për Aleksandrin e Madh, figura të tjera të rëndësishme por të lëna disi në “harresën” e kohës, kishin nevojë të riktheheshin triumfueshëm në ecurinë shekullore. Sa mirë që autori i është përkushtuar me zemër në kohë dhe energji figurës së Aleksandër Molosit, që sipas të dhënave ishte daja i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë dhe mbret i Epirit. Si i tillë, ka qenë një ndër personalitetet më të rëndësishme për historinë ilire, mbret i drejtë e i fuqishëm, shtylla kryesore e Epirit si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak, i shquar për mprehtësinë e mendimit e përfshirjen në vendimarrje të rëndësishme që në moshë të vogël, i njohur edhe për strategjitë e tij politike në mënyrën sesi lidhi fiset e Epirit (në Italinë e Jugut me traktat paqeje bashkoi fise si: Apulët dhe Mesapët me kolonitë helene). Veprim i cili u bë zanafilla “e besëlidhjes” e njohur sot nga ne si “besa e fjalës”.
Libri “Epiri dhe Aleksandër Molosi” titulluar në shqip dhe italisht merr akoma më shumë vlerë, pasi në ato 215 faqe, gjysmës i është bashkangjitur përkthimi edhe në gjuhën italiane për t’u dhënë mundësinë lexuesve përtej Shqipërisë të njihen me një pjesë jo shumë të trajtuar të historisë.
Autori gjithë studimin e quan “projekt”, dhe si i tillë i bazuar në fakte e kërkime shkencore të rrit sigurinë ndaj informacionit të shtjelluar me seriozitetin e një pune shkencore, dhe përshkrimeve reale të ngjarjeve trajtuar me elegancë letrare.
Kompozicioni i temës ndalet në 3 aspekte :
- PANORAMIK- Nëpërmjet një fushe të pasur leksikore në fjalë e shprehje jepet një tablo e plotë e personazhit kryesor në karakter e aftësi, por edhe njohja me situatën e Epirit duke përfshirë arsyet e ndarjeve e bashkimit të fiseve, si dhe përshkrimin favorizues të vendit për shkak të pozicionit gjeografik me Adriatikun, i cili mundësonte kalimin dhe zhvillimin e tregtisë në anë detare.
- DEPËRTUES- Ku copëza nga betejat e luftës në të shprehurit në fjali të gjata e të ndara siç duhet me anë të presjeve krjojnë përjetime; si dhe mbresat nga zhvillimi i situatave bashkëpunuese për ta parë popullin të bashkuar dhe lulëzimin e mëtejshëm të vendit që degëzohet në forma idesh e projektesh nga ana e Aleksandër Molosit, i cili për shkak të nismave me natyrë politiko- shoqërore u konsiderua edhe si “mbrojtësi” i Magna Grecia-s.
- PËRFUNDIMTAR- Me një vizion të qartë estetik në atë që shkruan e me një ngjeshje të mendimit, autori na sjell me një stil elitar figurën madhështore të Aleksandër Molosit, këtij personazhi akretip të veprimit, imagjinatës, hero të idesë e frymëzimit, strateg i zoti por edhe si një sundimtar që nuk abuzoi me pushtetin e dhënë po që e vuri atë bashkë me aftësitë në shërbim të shoqërisë e vendit.
Respekti e vlerësimi për figurën e Aleksandër Molosit është shprehur që në periudhën e antikitetit dhe vërtetuar te ne sot nga zbulimet arkeologjike ku përfshihen: monedha, vazo, mozaikë, epigrafe në pllaka etj, por edhe nga vetë autori, i cili në koherencë me pjesën ballore të kopertinës (ku është ilustruar A.Molosi guximtar gjatë një beteje), ka preferuar që në pjesën e pasme të zgjedhë një foto artistike të tijën përkrah A. Molosit sypatrembur, që edhe pse heroizmi i tij është artistikisht në muze, prapëseprapë me shembullin e lënë vazhdon të ecë përpara në kohë nën ritmin e rregullt të trokthit të kalit, tashmë edhe nëpërmjet këtij libri.
Libri “QERAMIKA me FIGURA të KUQE në SHQIPËRI”
Të të pëlqejë, të shprehësh interes apo të shkruash për arkeologjinë, janë gjëra të ndryshme edhe pse në thelb kanë pasionin. U frymëzova për të bërë një poezi para shumë vitesh ndërsa qëndroja në qytetin e statujave në Apolloni, afër vendlindjes time në qytetin e Fierit…
CICERONËT e SHPIRTËRAVE
Ne jemi njerëz- gurë/ të rrethuar me armatë heronjsh e varre të mermertë/ Ne jemi ciceronë të shpirtrave/ dhe flasim për vdekjen si të ishte jetë/ Ne jemi njerëz- pluhur/ që formojmë gurët e historisë së vërtetë/ Ndërtues- zbulues enigmash të arkeologjisë/ Përjetë! – A. KONDAKÇIU –
…Por vetëm kaq, derisa u gjenda para përgjegjësisë së “Ceramica a figure rosse in Albania. Produzioni e importazioni”, këtij libri të mrekullueshëm shkruar në gjuhën italiane nga dr. Jani Koçillari me perspektivën që së shpejti të gjejë dritën e përkthimit edhe në gjuhën tonë shqipe, që i takon me të drejtë nga vetë tematika.
Me qeramikën jam njohur nga disa copëza objektesh gjatë fëmijërisë, në muzeun e Fierit e të Durrësit, më vonë në disa nga qendrat e metrove në Athinë ku reklamoheshin publikisht me xham mbrojtës nga sipër, por edhe para 2 vitesh në Faenca -Itali ku pata mundësinë të vizitoja muzeun ndërkombëtar të qeramikës, i cili ka koleksionin më të madh në botë (mbi 30 mijë vepra arti prej qeramike të çdo epoke dhe kontinenti). Ama ndërkohë që e shuaja kuriozitetin në vende të tjera, J. Koçillari që jetonte në Itali shkroi në mënyrë specifike për qeramikën në Iliri, një pjesë e mirë e të cilave gjenden në muzetë tona ku numërohen rreth 44 mijë objekte, të cilat ruhen në Tiranë, Apolloni Korçë e pikërisht edhe në Durrës ku banoj. Dhe për ato të vendit tënd, të shijon më shumë kërkimi, lexueshmëria e krenaria e njohjes së identitetit të pasur artistikisht. Ja pse ishte interesante kjo përballje me informacionin e librit, që edhe pse në italisht, autori e ka bërë më të lehtë e më të kuptueshëm për këdo edhe nëpërmjet figurave që u japin jetë fjalëve.
Niveli i lartë cilësor i objekteve prej qeramike shprehur në finesën e gërshetimit të tematikës në larminë e tyre kompozicionale, është specifikuar në libër me një radhitje elegante sipas njohjes e përdorimit të tyre në Ilirinë e lashtë. Ndër 9-të emërtimet, ajo më e njohura nga njerëzit ka qenë “amfora” (sepse është përdorur si figurë letrare krahasuese nga poetët), por të spikatura ishin edhe forma të tjera objektesh prej qeramike që gjenin vend në përdorimin e përditshëm jetësor.
Nga të gjitha llojet e objekteve që mund të gjenden në arkeologji, qeramika është më rezistentja dhe zgjat mijëra vjet (për herë të parë u prodhua në Kinë 20 mijë vjet më parë në enë për gatim e si mbajtëse uji). Ja pse dhe arti i të pikturuarit ka gjetur vend në të, e që nga shekulli V deri në ditët tona, brenda librit gjenden foto të vazove prej qeramikës me figura të kuqe që autori i ka ndarë në dy kategori:
1- Skenat me rafigurimin e mitit ku pasqyrohen: beteja perëndish e heronj lufte (Erosi, Dionisi, Uliksi, Herkuli etj)
2- Aspekte të jetës së përditshme: gra me objekte tualeti ku theksoheshin modelet e flokëve, llojet e bizhuterive si dhe veshjet në atë kohë, pjesëza nga jeta e të rinjve, skena atletësh etj.
Prandaj arkeologu Fatos Tartari e ka konsideruar botimin e këtij libri si “Përpjekjen e parë të arkeologjisë që realizohet në një katallog gjithpërfshirës të enëve me piktura të kuqe, të cilat i përkasin një stili që cilësohet mrekulli e krahasueshme me pikturën e kavaletit të periudhës së Rilindjes Europiane”.
Kësaj lloj forme përhapëse të artit që ngjall emocione edhe nga ne sot teksa i shikojmë, për më tepër autori i ka kushtuar vëmendje në një kapitull të veçantë edhe mënyrës se si prodhohej e shpërndahej qeramika në Apolloni. Ajo që të bën përshtypje është fakti sesa i bekuar ishte ky vend që kishte cilësore bazën e qeramikës, pra ngjyrën e fortë të argjilës dhe shkëlqimin e saj.
Mënyra sesi autori e ka bërë përshkrimin nëpërmjet tekstit duke mos anashkaluar detajet, të rrëmben emocionalisht në historinë ilire.
Duke përfshirë edhe atë të kopertinës, gjithsej janë 43 foto të qeramikës me figura të kuqe, saqë kur gjatë leximit shfletoja ngadalë fletët që të kënaqnin estetikisht me kombinimin e tekstit dhe figurave të përzgjedhura me kujdes, natyrshëm më erdhi në mendje ajo aroma dhe bukuria e ruajtur e luleve që i thaja nëpër faqet e librave…E s’kish se si të ndodhte ndryshe nëse një libër i tillë si “Qeramika me figura të kuqe” kopsit copëza ngjarjesh përmes artit dekorues të vazove antike, e të rizgjon ndjesi kujtimesh. Arjola KONDAKÇIU