Nga Arjola KONDAKÇIU: “Elda Gjana dhe Blerta Hyska mes pasionit për përkthimin dhe dashurinë për librin”
Gjëja e parë që bëj kur mbaj një libër të një autori të huaj në dorë është shfletimi gjithë kuriozitet për të parë se kush është emri i përkthyesit dhe i redaktorit. Shpeshherë, për arsye të ndryshme por jo të justifikueshme nga ana letrare, nuk gjendet fare emri i redaktorit. Kjo gjë çon në një përgjegjshmëri më të madhe për peshën e cilësisë së punës së një përkthyesi. Jo të gjithë e bëjnë këtë proçes me dëshirë, por sa mirë kur ka akoma persona që sakrifikojnë kohë, energji e të ardhura duke bërë me gjithë zemër përtej interesit vetjak, për ta rritur cilësinë e përkthimit të botimeve në gjuhën shqipe, gjë që ndikon pozitivisht edhe në larmishmërinë e tematikave dhe rritjen e kërkesave të lexuesve. Pikërisht dy prej këtyre përkthyeseve: Elda Gjana që bën përkthime nga gjuha gjermane, dhe Blerta Hyska nga frëngjishtja, i gjeta gjatë një bisede shumë të frytshme në Qendrën Kombëtare e Librit dhe Leximit; një aktivitet i mbështetur respektueshëm nga drejtoresha Alda Bardhyli dhe i organizuar në mënyrë specifike për risitë, problematikat dhe këndvështrimet e ecurisë së përkthimit. Edhe pse e gjendur rastësisht në këtë aktivitet dhe pa patur asnjë lidhje me përkthimin, si autore librash, si redaktore por edhe si një person që e vlerësoj librin, përjetova një shijim të shumëfishtë nga ajo bisedë e çiltër dhe e natyrshme mes personash që e duan librin. Mënyra se si flisnin të dyja përkthyeset: me përzemërsinë për librin, shkëlqimin e syve, xhestet kuptimplota dhe tonalitetin emocionues të zërit, ndikuan që ti jepnin dinjitetin e duhur punës së tyre duke sfiduar edhe pjesëmarrjen e vogël të të pranishmëve.
Përkthimi është art më vete, por edhe nëse përkthyesit e mirë kanë një kosto më të lartë, ia vlen të rrezikojmë, sidomos kur bëhet fjalë për librin, një pasuri e paçmuar që nuk mbetet thjesht e jona, por i kontribuon zhvillimit letraro – kulturor të së ardhmes së vendit. Sigurisht, që përgjegjësinë e ndërgjegjësimit fillimisht e kanë shtëpitë botuese dhe autorët, por edhe përkthyesit e efektshëm, të cilët sygjerojnë ose përzgjedhin materiale që përtej reklamës së kohës përçojnë mesazhe reale. Dhe kjo është vlerë! Ndaj ju falënderoj përulësisht Elda Gjana dhe Blerta Hyska, që përtej faktit të të përkthyerit nga gjuhë të huaja, e ndihmoni si pakuptuar edhe lexuesin të “përkthejë” botën e brendshme të të palexueshmes njerëzore! Arjola KONDAKÇIU