Veprimtari përshpirtjeje dhe një artefakt për kryeveprën e poetit Lefter Çipa:
Ta dëgjosh këngën “Bilbil i vendeve të mia”, aty ku e shkroi, mes lisave të Pilurit.
Anisa Muçaj
Në ditën e 40-të të mungesës fizike, në nder të poetit të shquar të polifonisë shqiptare, u mblodhën në vendlindjen e Lefter Çipës në Pilur, familjarë, miq, artistë, studiues dhe emra të shquar të këngës labe.
Pas përshpirtjes dhe homazheve në varrin e poetit, nga familja u vendos në një ndër pikat ku kalonte shpesh orët e krijimtarisë në Pilur, një pllakë me fotografinë e “Princit të Polifonisë” në të cilën shkruhet:
“Në këtë vend, në një nga ditët e vitit 1983, poeti piluriot Lefter Çipa ” Nderi i Kombit” shkroi poezinë-këngë “Bilbili i vendeve të mia”, të interpretuar nga Grupi i famshëm i Pilurit në Festivalin Folklorik Kombëtar Gjirokastër”.
Pllakati i pajisur me bar-codin e vet i jep mundësinë çdo vizitori apo turisti në Pilur që gjatë fotografimit të drejtohet në youtube për të dëgjuar këngën e famshme të poetit për poetin kombëtar, Naim Frashërin, të cilin e quajti “Naim Shqipëria”. Pllakati merr vlerën e një artefakti në ndihmë të turizmit kulturor në vendlindjen e autorit, e cila është e famshme për polifoninë shqiptare.
Në drekën përkujtimore profesorë dhe artistë të njohur si Prof. Bardhosh Gaçe, poetët Albert Habazaj, Nexhip Onjea, apo këngëtarët e shquar Golik Jaupi, Nazif Çela, Katina Beleri, Tomor Lelo, Hyso Xhaferi etj., sollën kujtime dhe vlerësuan veprën e poetit të ndjerë, i cili ndërroi jetë në 18 shkurt të këtij viti, duke lënë pas një opus të shumëllojshëm krijimtarie në fushë të këngës polifonike, asaj qytetare dhe zhanreve të ndryshme të poezisë dhe etnokulturës shqiptare.
















