Nga Aleksandër ÇIPA
Reportazh
Për të mbërritur nga Tepelena në Bënçë duhen vetëm 20 minuta. Eshtë një rrugë gjarpëruese që të çon aty duke nisur njëherësh kalimin përgjatë luginës me të njëjtin emër. Eshtë e gjitha një luginë e gjelbëruar. Por në këtë vis më lumë të rrëmbyer nuk vlen ilustrimi me vargun “Na vjen lumi turbullo”. Ky mund të konsiderohet vetëm një lumë i shkumëzuar, por jo i turbullt.
Shtrati i tij është i kufizuar me pjerrina të thella dhe të lakuara. Kjo është fillesa e luginës që ngjitet përpjetë malësive të Kurveleshit. Për t’u ngjitur lart, si portë pritëse ke fshatin e Bënçës i cili nuk ka shumë shtëpi, ndoshta 30 e kusur, por ka një emër të shpërndarë kryesisht përmes këngës polifonike aq të njohur të Grupit të Bënçës. Jo rastësishëm, sa ndodhesh në qendër të fshatit Bënçë, do të ndeshësh Mjeshtrin e Madh të këngës, korifeun e Grupit, Golik Jaupi. Prania e tij e përhershme në këtë qendër të krijon përshtypjen e elementit tjetër natyral të Bënçës. Por në këtë rast element prej artisti dhe banori buzëqeshur.
Ndër banesat ndanë xhadesë, siç e quajnë rëndom lebërit rrugën, është edhe ajo e Sheme Maçes. Ajo është ndërtuar e stolisur si të jetë shumë më tepër se një ndalesë për shkak të çezmës apo hijeve të hardhive e pemëve. Madje ajo edhe pse ka kapacitetin modest të një hosteli është më shumë se aq, një Shtëpi e Këngës së Gurit.
Sheme Maçe së bashku me zonjën e vet janë prej vitesh të vetëm që stolisin e mirëmbajnë vilën e tyre. Salltanetet e kësaj vile janë prej guri. Eshtë një poemë qëndisjeje unike. Për më shumë se 25 vitesh Ustai dhe kryefamiljari i vilës ka patur punë për të mbledhur, zgjedhur dhe ndërtuar, sipas talentit të vet në rregullin e një pazëlli pa model orientues, vilën e qëndisur me gurë. Janë gurë dhe zaje lumi. Përgjatë viteve i zgjodhi dhe mblodhi me duart e veta nëpër shtratin e lumit të Bënçës. Gurë të skalitur përmes prehjes së natyrës. Një art i formësuar spontanisht sipas vërshimeve ujore, rrokullimave nëpër shtratin e lumit apo gërryerjeve nëpër rrëpirat e mprehta të luginës së Bënçës. Një punë sizifiane, e cila ndryshe nga miti mundonjës, rezulton me një stolisje fisnike të një zotnie që duke ia hequr plotësisht vëmendjen moshës rrjedhëse të vetvetes, po i përkushtohej lartësimit dhe shfaqjes së bukurisë unike të shtëpisë së vet. Gjithçka është një galeri gurësh të skulpturuar prej dy autorësish: Prej natyrës në shekuj dhe kohë vepruese me faktorët e saj si rrëmbimet lumore, rrokullisjet dhe përplasjet nëpër brigje dhe gurrë të mëdhenj dhe; duarve të Shemes të cilat plot art dhe fantazi, gjithë pasion dhe ndërgjegje estetike, ia ka dalë të ndërtojë skulptura të veshura me vlera dhe detaje mozaikimi, duke imituar jo vetëm ikonat e shqueshme antropologjikisht të labit dhe labikes, por duke mishëruar një pasuri pasqyruese përmes veshjes mozaike me gurë të kostumeve dhe veshjeve etnografike labërore dhe gege. Modelimet me gurët e lumit në ngjyra kafe, të kuqëreme, të bardha, të zezë dhe gri, janë materia e shijes prej artisti figurativ të këtij bujku lab. Nuk ka nevojë për penel apo për daltë, por përmes duarve të veta zgjedh ndër mijëra guriçka atë rruazë guri që formëson imazhin dhe figurën e veçantë të detajeve dhe stolive të labikes, apo labit, të malësorit me lodër apo të plisit. Punime me vlera të vërteta artistike në detaje dhe forma, në qëndisje dhe sidomos karakterizime skulpturale. Të gjitha interieret e Shtëpisë së këngës së Gurit të Sheme Maçit, të ofrojnë gjetje, fantazi dhe elementet e një kujdesi artistik që meriton të çmohet prej shkollës së mozaikut dhe skulpturës sonë, natyrisht si një kazus i pasionit dhe vullnetit amatorial. Me sqimën e vet aq të veçantë, skulptori amator i kësaj vile, ka zgjedhur dhe pozicionuar në kënde të veçanta ekspozimi edhe gurët apo format shkëmbore të modeluara prej lumit dhe faktorëve natyrorë. Janë disa forma stalakmitesh, gurësh të zgafelluar, zaje të rrumbullakësuar dhe të gërryer në forma dhe modele habitëse, të cilat mjeshtri i Shtëpisë i ka vendosur në kënde, i ka ekspozuar në forma dhe modele plotësuese, duke të zgjuar kurreshti dhe imagjinatë, duke të shtyrë në ngasje hamendësuese dhe deri në shqyrtime mistike. Të gjitha këto janë elementet dhe fragmentet e një poeme guri dhe zajesh. Krejt Shtëpia është një këngë shumëstrofëshe të cilën nuk e interpreton njeriu por tërësia e përmasave, formave, ngjyrave dhe në mënyrë të posaçme, modelimet gurore të cilat janë qëndisur prej këtij Zoti tek Shtëpia dhe Guri.
Ikonat e mozaikuara prej guri në mjedisin veror të vilës, janë suprizuese. Eshtë projektuar prej tij, deri në detaje, një bar dhe veranda e qëndisur, dhe e pasur skulpturalisht deri në atë masë sa të besosh se racionaliteti i këtij mjeshtri qenka një tjetër cilësi njerëzore dhe artistike e tij. Ne qendër të verandës një statujë e vogël, por me aq karakter, e labikes me tumane e cila të zgjat tabakanë me filxhanin e kafesë së mirëpritjes. Eshtë një gjetje dhe krijim artistik i shkëlqyer. Mjete të thjeshta, por fantazi e kulluar e një labi shpirt-pasur.
Të gjitha detajet janë pjesë e kësaj galerie me ngyrat, format dhe modelet e gurëve të këtij visi, të malit, rrëpirave dhe lumit të Bënçës.
E gjithë kjo galeri e ndarë estetikisht dhe me kujdesin e një Zoti-guri, por edhe Zot-Njeriu të gjelbërimit janë një pashëmbëllsi krijimi. Sheme Maçi ndërsa ka mbledhur për mbi 25 vjet zaje e gurë me forma dhe ngjyra nëpër shtratin e lumit që ndodhen nën themelet e Shtëpisë së vet, ka ditur të shndërrojë aq bukurisht një rrëpirë në një minifermë me brezare, ku gjelbërojnë lloje të shumta pemësh dhe frutash. Taracat e krijuara me duart dhe falë mundit e djersës së pashtershme të tij, janë vërtet një model i realizuar i veprës së shkëlqyer prej një njeriu që frymën e punës, derdhjen e djersës dhe punën e duarve i ka natyralizuar me përditshmëritë e jetës së vet, sikundër lumi i Bënçës rrjedhjen nëpër luginën me të njëjtin emër. Ai e ka modeluar si askush mjedisin e Parajsës në folenë e vet shtëpiake.
Dalja jonë, nga porta e gurtë e Shtëpisë së Këngës së Gurit, për të vijuar udhëtimin nëpër viset e Kurveleshit të Sipërm, është një moment frenues dhe mosngutjeje. Po niseshim për udhë, me kokën pas për shkak të së bukurës. Ke ende dëshirë dhe tundim për të shijuar vlerat dhe shfaqjen unike të Shtëpisë së Këngës së Gurit.
Densiteti i mozaikimit të gurit është i pazakontë. Të shfaqet në portikun e vilës, në karriget dhe tavolinat gjithëformëshe prej guri, në harqet, në çezmat e oborrit dhe verandës, në shatërvanet e gurëve me forma zgafelluese dhe prej fragmenteve të stalakmiteve etj., etj., dhe deri në konstelacionet e kohës së shkuar dhe kohës së tashme, së cilës i kryeshfaqet braktisja dhe mungesa e njerëzve dhe të rinjve të kësaj shtëpie. Çifti Maçe jeton dhe punon në pritje dhe ëndërrimin e rikthimit të bijve nga mërgimi. Kjo pasuri dhe gjithë interieret e kompozuara si një poemë e rrallë guri dhe estetike, mbeten si të vetmet soditëse të moshimit të Zotit dhe Zonjës së shtëpisë. Në jetën e tyre e vetmja mungesë është rikthimi i fëmijëve.
Pasi kemi kaluar pragun e Shtëpisë së Këngës së Gurit, me mjetet e kompanisë Sipa Tours në një guidë xhip-safari, vijojmë ngjitjen nëpër segmentet gjarpëruese të rrugës në rregullim, që lidh Bënçën me Progonatin, Lekdushin, Nivicën dhe zbritjen nëpër rrugën e lumtë drejt Kuçit e për të mbërritur në orët e vona të mbrëmjes në fshatin e njohur si “Porta e Maleve” apo “Ballkoni i Bregdetit”, Pilur. Vetëm duke përshkuar këtë itinerar e kupton se kjo lidhje e munguar rrugore për shekuj, ka ndarë dhe lënë në pengun e komunikimit të keq viset e një krahine që e bën të ngjashme pasuria e ndjenjave dhe produkteve njerëzore, por më së shumti edhe ndërlidhja e luginave dhe lumenjve e përrenjve që derdhin e shpien ujëra si në “logjikën” e natyrës.
Ikja nëpër këto vise me lugina, me gjelbërime dhe sidomos me gurë të moshave dhe të të gjitha kohërave të jetës së natyrës, nuk na i eklipson imazhet dhe sidomos artin apo format e skulpturave të lumta e të gurta të Sheme Maçit në Bënçë.
Udhëtar, kushdo qofsh, në fshatin e këngës së famshme labe, në çdo kohë, mund të vizitosh dhe Shtëpinë e këngës së Gurit.
Bënçë Gusht 2020