Në shenjë urimi për Ditën e Bashkimit të Gjermanisë
Populli mik gjerman sot shënon 31 vjetorin e bashkimit të Gjermanisë. Lëvizja për bashkim filloi nga poshtë (nga një lëvizje masive qytetare). Parulla popullore “Ne jemi populli!” (gjerm. “Wir sind das Volk!”), do të shndërrohej shpejt në thirrjen “Ne jemi një popull!” (gjerm. “Wir sind ein Volk!”). Elita politike gjermane e kuptoi frymën e kohës. Ajo i dha rrugë legale shansit historik për ribashkim në paqe dhe liri, pa luftë dhe gjakderdhje. Programi 10-pikësh për bashkimin e dy Gjermanive i kancelarit Helmut Kohl, i paraqitur më 28 nëntor 1989 para Bundestagut, u realizua më 3 tetor 1990 në një atmosferë gëzimi e lotësh, feste e mirëkuptimi. Vendosja e procesit të bashkimit të Gjermanisë në kuadrin e parimit të vetëvendosjes dhe si vazhdim i Evropës së bashkuar paraqet artin e lartë të të kuptuarit të frymës integrative të kohës.
Më 3 tetor 1990 flamuri gjerman valoi i lirë në Sheshin e Republikës në Berlin. Aty valon dhe sot. Qytetarët gjermanë morën frymë të lirë, pa murin e Berlinit, pa kufirin dhe ideologjinë që i ndante. Rënia e Murit të Berlinit krijoi një moment lirie dhe entuziazmi, jo vetëm në Gjermani, por gjithandej botës, në mënyrë të veçantë te ne shqiptarët. Në këtë ditë kombi gjerman e zuri vendin e vet të merituar në Evropë, Evropa e theu murin ndarës ideologjik, kurse bota i dha fund Luftës së Ftohtë.
Në fakt bashkimi i Gjermanisë u realizua përmes përgjegjshmërisë së lartë politike të të gjithë pjesëmarrësve, si dhe vetëdijes e respektit për suksesin ekonomik dhe social të Gjermanisë së pas Luftës së Dytë Botërore. Ribashkimi erdhi edhe si rezultat i diplomacisë së shkëlqyeshme të Gjermanisë. Procesi negociues për bashkim mund të konsiderohet një nga veprat më mjeshtërore të diplomacisë së lartë në shekullin e 20-të.
Me këtë rast, Kancelares Angela Merkel, Qeverisë Federale të Gjermanisë dhe gjithë popullit mik gjerman i urojmë Ditën e Bashkimit!