Vendimi për votën e emigrantëve/diasporës, PUÇ Kushtetues nga Gjykata Kushtetuese…….
Së pari, dua të sqaroj se problemet që do ngre në këtë status nuk kanë lidhje me persona të përvetçëm, por për parimet morale dhe ligjore të cilat unë i kam ndjekur gjithë jetën time.
Së dyti, jam e vetëdijshme se me këtë status, do i hap shumë probleme vetes dhe klientëve të mi, të cilët jo pak herë nuk kanë marë drejtësi, vetëm për shkak të pozicionit tim publik dhe denoncimit në vijimësi të dështimit të Reformës në Drejtësi, por unë kam bërë pakt vetëm me të VËRTETËN.
Së treti, pres me shumë kënaqësi kundërshtitë dhe debatin ligjor lidhur me këtë çështje, sipas meje shumë të rëndësishëm, nga avokatë dhe jo vetëm.
Së katërti, fakti se promovuesit e kësaj “fitoreje” thirren në çdo banak televiziv të pushtetit, dhe se unë sa më shumë e denoncoj aq më shumë shpallem “Non Grata” prej tyre, provon katërcipërisht se ky vendim është promovuar dhe sponsorizuar nga pushteti.
Së fundmi, edhe fakti që prej dy vitesh nuk ka asnjë vendim të kësaj gjykate kundër partisë-shtet, legjitimon atë çfarë unë paraqita më sipër.
Përpara se të analizoj këtë vendim të errët, desha të theksoj faktin se nuk është e vërtetë se ky vendim ka vendosur që emigrantët/diaspora të votojnë.
Jo.
Kjo është një gënjeshtër dhe kakofoni e madhe e dirigjuar nga regjimi, dhe që shton dyshimet e arsyeshme se e gjitha kjo i shërben vetë atij.
Vota e emigrantëve/diasporës, ka qënë dhe është e sanksionuar me nenin 8 dhe 45 të Kushtetutës, Kodin Zgjedhor dhe nenin 5 të Ligjit “Për emigrimin”.
Çfarë ndodhi nē Gjykatën Kushtetuese në fund vitin e 2022?
Kjo gjykatë kishte për shqyrtim dy kërkesa për votën e emigrantëve/diasporës;
- Nga Shoqata ” Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, rregjistruar në Zvicër dhe subjekt i së drejtës zviceriane (më ppshtë OJF 1).
- Nga Qendra “Organizata e Qendrës”, rregjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe subjekt i së drejtës shqiptare (më poshtë OJF 2).
Sipas vendimeve që i paraqes më poshtë, paraqitet objekti i dy kërkesave, prova e shënjuar me të verdhë 1/1 për OJF 1 dhe prova e shënjuar me rozë 1/1 dhe 1/2 për OJF 2.
Pas ndërhyrjes së pushtetit, përmbaruesja e pazareve të këtij të fundit me AliBashën, Marsida Xhaferllari (në një status tjetër do ju tregoj pse Xhaferllari është përmbaruese e pazareve të pushtetit me AliBashën), gjykata vendos pranimin e pjesshēm tē kërkesës së OJF 1 dhe mos kalimin e kërkesës në seancë plenare të OJF 2 për shkak të legjitimitetit.
Që situatën t’a bëj më të kuptueshme për të gjithë ndjekësit e mi dhe jo vetëm, këtë arsyetim dhe argumentim ligjor se pse ky vendim është puç kushtetues do e ndaj në dy grupe:
I. Në aspektin formal (legjitimiteti):
Lidhur me këtë pikë, gjykata ndryshe nga parashikimi në nenin 46, 131 dhe 134 si dhe Ligjin për Organizatat Jofitimprurëse pranon kërkesën e një shoqate të huaj (shih provën e shënjuar me të verdhë 1/6) dhe nuk legjitimon në këtë kërkesë një shoqate shqiptare (shih provën e shënjuar me rozë 2/7).
Kjo përveç se është puç kushtetues është dhe njollë turpi në historinë e kësaj gjykatë përsa kohë që shoqatat e huaja nuk janë subjekt i së drejtës shqiptare.
Njē analizë të saktë lidhur me legjitimitetin e OJF 1 ka dhënë dhe ish Kryetarja e kësaj gjykate ku çmon si kusht parësor rrespektimin e nenit 46 dhe 134 të Kushtetutës (prova e shënjuar me të verdhë 1/33).
II. Në aspekt të objektit (materies/lëndës):
Referuar provave të mëposhtme, nëse lexoni me kujdes provën e shënjuar me të verdhë 1/4, akti për të cilin është rrëzuar kërkesa e OJF 1 është akti administrativ 219/2021 i Ministrit të Shëndetësisë, i cili në këtë gjykim është paraqitur si shtesë objekti.
Pse po e theksoj këtë fakt?
Se OJF 1 në objektin e parë të kërkesës ka patur vetëm “Cënimin e të drejtës së votës në zgjedhjet e 25.04.2021” pa saktësuar në objekt si dhe qysh dhe, vetëm pas debatit në seancë plenare, ku dukshëm është konstatuar se kërkesa nuk ka objekt (pra nuk ka materie ose lëndë), kërkuesi shton objektin e padisë me këtë shkresë e cila:
- Nuk është akt i juridikdionit kushtetues.
- Është akt i juridiksionit administrativ.
- Është “gjë e gjykuar” në kuptim të jurisprudensës, duke qënë se ky akt është çuar në Gjykatën Administrative nga ish Kryetarja e LSI, znj. Kryemadhi.
Por çfarë qëndrimi mban gjykata lidhur me këtë akt?
E rrëzon atë duke bërë dhe gafën e rëndë kushtetuese se pranon vetëm pikën e cënimit të zgjedhjeve, pikë e cila nuk mund të “mbahet në këmbë” nëse bie akti që e ka cënuar dhe e vërteton atë.
Lidhur me këtë pikë njē analizë të plotë dhe shteruese kanë bërë dy gjyqtarët që kanë dalë në pakicë (shih provën e shënjuar me të verdhe 1/30).
Pra,
Gjykata Kushtetuese në shumicë:
- Ka pranuar për shqyrtim këtkesën e një shoqate të huaj dhe që nuk është subjekt i së drejtës shqiptare.
- Ka pranuar një pikë të objektit të padisë e cila kishte si akt justifikues të cënimit të së drejtës aktin që nuk u pranua për shqyrtim (ose u rrëzua).
Për këtë arsye them se ky vendim përveç se është puç kushtetues dhe një njollë e errët në gjithë historinë e kësaj gjykate, është njëkohësisht edhe precedent i rrezikshëm që legjitimon çdo shoqatë të huaj t’i drejtohet GJK, pëtfshirë edhe ato kriminale dhe antishqiptare.
Nga ana tjetër, çfare u fitua nga ky vendim ku, ashtu siç e përmënda më lart, vota e emigrantëve/diasporës është e garantuar me Kushtetutë?
Ndërkohë që përceç se objekti i kërkesës së OJF 2 është shumë e saktë dhe e bazuar në parimet dhe normat kushtetuese, në analizë të argumentave kjo OJF i kishte propozuar GJK zgjidhjen e votës së emigrantëge/diasporës (për këdo që është i interesuar jam e gatshme t’ja vë në dispozicion).
Unë si përfaqësuese e “Organizatës së Qendrës” po ndërmarr të gjithë hapat ligjorë për bllokimin e zbatimit të këtij vendimi antikushtetues që nga PDSH, Opozita e deri te Kuvendi.
Unë ju siguroj se do luftoj pa kompromis për shtetin ligjor tē së drejtës dhe që çështjet tona DUHET t’i zgjidhin gjykatat shqiptare dhe jo ato europiane, qe me gjasë do zgjidhë edhe këtë çështje antikushtetuese dhe kundër të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të Garantuara me Kushtetututë.
Dhe unë, aq sa mundem.do ta mbroj me çdo kusht dhe ligjërisht Kushtetutën e vendit tim.
Plus që kam një ves të keq që gjerat e çoj deri në fund dhe ashtu si thonë Tironsit se:
Vesi del me shpirtin. 😉
PS 1: Nëse dikush ndjehet i cënuar apo nuk i pëlqejmë çfarë deklaroj më sipër, e ftoj në debat televiziv në kanalin, ditën dhe orën që do zgjedhë ajo/ai që ndërsa më fut mik që të mos e “sulmoj”, skuthshe deklaron hapur e fshehras pët mua se jam avokate mediokre dhe pedudo juriste. E pres të m’i thotë në sy.
PS 2: Duke qënë se kjo çështje ka interes publik si dhe nisur nga fakti i bllokimit që më bëhet nga shumica e mediave dhe portaleve, Ju lutem sipas dëshirës dhe mundësive t’a shpërndani.