“SPAK drejtohet nga Edi Rama dhe Erion Veliaj!”
Nga:Adriana Kalaja
Në një kohë që ne presim që Drejtuesi i SPAK t’i vërë prangat në duar mafiozit Veliaj, ky i shkon në festë për qokë. Çfarë tragji-komedie? Edhe premiera që pa z. Kraja me ftesë të banditit Veliajt, nuk ka më shumë skena tragjedie dhe komedie bashkë, se në filmin që po luhet para syve tanë. Me aktorë zyrtarë dhe prokurorë të korruptuar. Dhe ambasadorë sekserë. A ka ndonjë vënd të botës kur Prokurori shkon në festën e një individi, aq më pak zyrtari që ka dosje të rregjistruara dhe që ka filluar hetimi, në prokurorinë që drejton ai? Absolutisht JO.
Mbase e ngushëllon edhe fakti që ambasadorja Kim parakalon bashkë me të në tapetin e kuq (ëndërr për shumë artistë). Mbase. Se sa shumë takohen bashkë gjatë javës ( Kim dhe Kraja), mund edhe ta kenë vendosur bashkë të shkojnë në këtë festë, që bllokoi edhe jetën normale në pedonale, me nustifikimin se do vinin “Ata”. I ngushëllonte dhe fakti se ishin dhe afër Skenës së Krimit, me aktor në rol protagonisti Erion Veliaj dhe në rol joprotagonisti, Yuri Kim. Teatri Kombëtar. Për tu kthyer te Kraja. Vetëm proçedime të rregjistruara dhe që kanë filluar hetimet ndaj zyrtarit Veliaj, bazuar ne kallëzimet e bëra nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, janë 14. Të mos përmendim hetimet që kanë filluar bazuar në përgjimet e Antimafias Italiane për çështjen Ndragheta.
Çfarë e shtyn drejtuesin e SPAK të marë pjesë në një festë të tillë? Se qëllimi i Veliajt dihet. Karshillëku për të na thënë ne se: “Mua nuk më çon dot kush përpara Gjykatës”. Dhe, për të na kujtuar gotën e verës së dikurshme që i mbylli dosjen e Ardit Gjoklajt. Në fakt gjithmonë e gjen një prokuror për t’i mbyllur dosjet. Me mbështetjen edhe të ambasadores Kim. Mbase i ka ndarë sekserët. Ambasadoren Kim e ka për në SPAK. Ambasadorin Soreca për në Gjykatë (edhe Kushtetuese). Nënkupton fiks atë shprehjen e shefit Rama dhe rivalit të tij Tahiri se: “Nuk ka bir k…..”. Dhe nuk e ka keq.
Në këtë pikë ka të drejtë. Ajo që më shqetëson është fakti se ku e gjen sigurinë z. Kraja se me këtë shpërdorim të detyrës nuk do meret askush? Kujtoj se në datë 12.02.2020, bazuar në kallëzimin tonë SPAK ka sekuestruar dosjen e tenderit lidhur me Teatrin e Ri, sipas parashikimeve të Ligjit Special Nr.37/2018 dhe që u shpall antikushtetuese. Në një kohë që ka kaluar me shumë se 1 vit e gjysëm, çfarë po bën SPAK për shkeljet në këtë tender qindra milionë Eurosh?
Duhet të shkojë drejtuesi i SPAK në një festë me organizator një zyrtar ndaj të cilit zhvillohen hetime, që të na konfirmojë atë që ne jemi të bindur tashmë se Reforma në Drejtësi është një dështim? Apo se SPAK nuk është ngritur për të luftuar korrupsionin në nivele të zyrtarëve të lartë, por për të bërë shown e rradhës, kundër atyre që i japin 1 000 lekë policit rrugor. Çfarë trishtimi. Çfarë absurditeti të shohësh që zyrtarë të korruptuar të përdorin kaq hapur, turpshëm dhe në mënyrë kriminale organin më të lartë të akuzës.
Nëse ne do kishim një shtet të së drejrës, me drejtësi të pavarur, mininalisht Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë do kërkonte në Këshillin e Lartë të Prokurorisë “pezullimin nga detyra tē z. Kraja”, dhe fillimin e një hetimi nga ana e organeve të qeverisjes së drejtësisë. Nëse do kishim. Se dhe Prokurori i Përgjithshëm, ngaqë kompetencat ja ka marë z. Kraja, nuk lë rradhë të mungojë në festa ku shampanja kushton sa një rrogë e mirë. Mbase për ta parë dhe publiku që ekziston dhe Ai. Nëse shohim rastin precedent “Llalla”, është konsideruar shpërdorim detyra blerja e një prone ndaj një shtetasi me dosje penale, jo në Prokurorinë e Përgjithshme, por në një nga prokuroritë e sistemit.
Po z. Kraja që i ka dosjet kundër Veliajt në prokurorinë që drejton, si e justifikon këtë shkelje të dispozitave ligjore? Për të mos përmëndur raste flagrante abuzive të shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve pse kanë udhëtuar me familjarë të tyre (për 1 cigare hashash), por që kane patur dosje penale. A mund të imagjinoni se çfarë do kishte ndodhur në një vënd ku funksionon shteti dhe ku drejtësia është e pavarur ndaj një ngjarje të tillë? Mjafton të sillni ndërmënd bastisjen e zyrës së Kancelarit të Austrisë nga organi i akuzës dhe deri në dorëheqjen e këtij të fundit, për të kuptuar se z. Kraja ka konsumuar një vepër penale.
Problemi qëndron në faktin se kush i ka dhënë siguri z. Kraja se asgjë nuk do të ndodhë? Por çfarë na tregoi ne z. Kraja me vajtjen në këtë festë? 1. Se Reforma në Drejtësi është një dështim i qartë. 2. Se SPAK drejtohet nga Edi Rama me Erion Velinë. 3. Se për marrëdhëniet me median dhe publikun z. Kraja ka emëruar ambasadoren Kim. 4. Se tani më shkeljet e ligjit bëhen haptazi dhe askush nuk reagon. 5. Se Yuri Kim ka të ardhme të sukseshme për aktore. 6. Se nuk duhet të pi vetëm Yuri Kim bira me Elisën por dhe z. Kraja shampanjë nga dora e Veliajt. 7. Se miratimin për drejtimin e SPAK nga z. Kraja (dhe Olsian Çelën), e ka dhënë EDHE Lulzim Basha. Ps: Mbi tē gjitha na tregoi se: ” AUTORËT KTHEHEN GJITHMONË NË VENDIN E KRIMIT”.