PËRBALLJA SI NJË SHKUNDJE E INDIVIDIT DHE SHOQËRISË. ( ESSE)
Nëse ne ndjehemi keq nga një pjesë e një shoqërie që sa vjen dhe humb vlerat, atëherë nuk mund të bëjmë ndryshe veçse të përballemi.
Mënyra më e keqe është heqja dore nga e drejta dhe nga besimi që përbën fuqi.
Pas çfardo lloj krize në mënyrën e të trajtuarit të asaj çka bëjmë, është përballja e jo ikja. Kjo e fundit do të bënte që të humbasim një pjesë të mirë të karakterit tonë. Të përballesh është intelekt, forcë, zgjuarsi, siguri dhe besim në atë që bën, kryesisht në krijimtari. Nuk jemi të përsosur asnjëherë por me ato çka bëjmë ti shërbejmë sado pak shoqërisë dhe kujtdo që kërkon ndryshim me mënyrën më të mirë. Të parit të cilësive krijuese me nihilizëm tregon cmirë e zili deri në mospërfillje, duke u përpjekur të zvogëlojnë vlerat.
Ndaj dua të them se vetem ata qe dinë të përballen do arrijnë suksese. Nuk më shkon kurrë në mëndje të përballem me ndokënd që s’është i/e pasur me intelekt. Intelekti është virtyt i fituar gjatë përvojave jetësore e jo produkt i profesioneve dhe numrit të diplomave.
Sot jetojmë në një shoqeri , ku primare ngelet fasada e jo ajo që bëhet realisht. Dhe pikërisht këta lloj njerëzish nuk e kanë për gjë të fryhen duke “shpalosur dije” dhe përpiqen të spostojnë me mënyren më të keqe dikë që me mënyrën më të bukur dhe të sinqertë i qëndron
besnik/e mendimit pozitiv drejt perfeksionit.
Tek e fundit përballja është e vetmja mënyrë që të bindim këdo e të refuzojmë fyerje. Nëse përballja është dinjitoze nuk ka ushtri që ta ndalojë.
Kam mësuar se njerëzit harrojnë se çfarë thonë, duke e shpërfillur sikur s’ka ndodhë asgjë, por është perballja ajo që ua kujton dhe i vë në pozitat persëritëse me hipokrizinë e radhës. Nëse nuk ua kujton e nuk përballesh mendojnë së të kanë vënë përposht. Ndaj përballuni! Vetëm perballja i bën njerëzit të shkunden, të reagojnë dhe dashur pa dashur të të vlersojnë.
Por të mos harrojmë se së pari duhet të përballemi me veten duke përdorur trurin. Mandej të përballemi me të tjerët duke përdorur trurin dhe zemrën. Atëherë do themi se përfaqësojmë veten me dinjitet në këtë shoqëri që është më shumë dyshuese se sa besuese.
Ndaj, perballuni me mënyrën më të mirë dhe bindëse.
Kështu nuk do ta quajmë veten produkt i rrethanave, por produkt i zgjedhjeve që do të bëjmë në jetë.
-ADELINA PALI-