-Ne paskemi qenë afganët para 30 vitesh/ Po Kristaq Rama a ishte talebani i Europës?
Kryeministri Edi Rama, ka nisur një ofensivë daljesh publike në mediat ndërkombëtare, duke prodhuar një narrativë për çështjen e strehimit të afganëve, që largohen nga regjimi i talebanëve.
Natyrisht qëllimi primar i tij, është të kërkojë nga Europa dhe SHBA ta njohë si sundimtarin stabilokrat të Shqipërisë.
Por në intervistat e tij delirante ka shumë mashtrime.
Thuajse në çdo dalje, ai po thekson se para 30 vitesh, shqiptarët ishin afganët e Europës, pasi po largoheshin masivisht nga ferri që kishte krijuar komunizmi.
Deri këtu ka të drejtë. Por kjo është njëra anë e historisë. Ai nuk u tregon mediave se familja e tij ishte pjesë e krijimit të ferrit për shqiptarët.
Babai i kryeministrit, Kristaq Rama, ishte drejtues i lartë i Partisë Komuniste. A ishte ai talebani i shqiptarëve?
Rama nuk e thotë këtë, por vetëm para pak ditësh u kujtua varja e poetit Havzi Nela me firmën e “talebanit” Kristaq Rama.
Por ky nuk është krimi i parë dhe as i fundit i Kristaq Ramës me shokë. Megjithatë Rama i ri, e ka përjetuar ‘ferrin komunist’ vetëm në anën e vrasësve dhe ‘talebanëve’, aq sa para disa kohësh pati deklaruar se komunizmi gjakatar, ishte në krahun e duhur të historisë.
Nëse mediave të huaja u pëlqen kjo fabula që u shet Rama, pse nuk e pyesin këto ditë se përse nuk tha asgjë në ditën e Fjongos së Zezë, kur përkujtohen krimet e totalitarizmit komunist.
Arsyeja është e thjeshtë: sepse ka qenë në krahun e ‘talebanëve’ të ferrit komunist dhe po ndërton një tjetër ferr në vend. Jo më kot ka dëbuar nga vendi mbi 500 mijë shqiptarë. Shumë më tepër se talebanët po të llogarisësh numrin e popullsisë.