Gjendet shpata 900-vjeçare e një kalorësi kryqtar.
Një zhytës amator ka gjetur një shpatë që besohet të ketë qenë e një kalorësi kryqtar rreth 900 vjet më parë. Shpata me gjatësi një metër u gjet në bregun verior të Izraelit.
Mendohet se shpata, mbi të cilën janë ngurtësuar gjallesa detare, ka dalë në sipërfaqe pas ndryshimit të rërës. Autoriteti i Antikeve në Izrael tha se sapo të pastrohet dhe analizohet, shpata do të vendoset në vitrinë.
“Shpata, e cila është ruajtur në gjendje të shkëlqyer, është një gjetje e rrallë dhe e mrekullueshme, që qartazi i përkiste një kalorësi kryqëzatash. Është kaq emocionuese të hasësh një objekt kaq personal, që të kthen 900 vjet pas në kohë, në një epokë me kalorës, parzmore dhe shpata”, u shpreh inspektori i institucionit.
Kryqtarët morën pjesë në një mori luftërash të njohura si Kryqëzatat, të cilat u nxitën nga Kisha Romake Katolike gjatë mesjetës.