Në ditën e puthjes, për të gjithë ata që e festojnë.
ROMANCË
Në brinjën e tavolinës,
mbështetur bërrylat e tu të bukur,
e në gishtin e vogël
varej ai portofoli i kuq.
Ti nuk rrije dot kurrë përballë,
se ndiheshim… larg.
Një gotë “Martini”
nuk kishte shkuar në gjysmë…
Nuk e kisha kuptuar asnjëherë
pse pije “Marlboro” të bardhë
dhe në atë çast,
cigaren e thithe fort
duke ngritur gjinjtë,
që nuk harroja kurrë t’i përkëdhelja.
Tymin ma shkarkove në gojë
me puthjen tënde lozonjare,
prej adoleshenteje çapkëne.
Sytë e mi ndezur nga “wisky”
dhe shpirti në vlim pasioni,
në sfond Lara Fabian me “Pas Sans Toi“.
Pas aromës epshndjellëse
të buzëve mishtore qershi,
u afrova symbyllur e duke të puthur,
të pëshpërita në vesh:
“Sa e bukur të bëhet ajo vrimka
në mes të buzëve pas puthjes sime!”
Qeshe dhe… një duhmë “Marlboro”
më mbuloi si mjegulla
në mëngjesin e majit…