Pas të atit, ka ardhur edhe reagimi i mamasë së 25-vjeçarit Klodian Rasha, i cili u vra dy dit më parë nga një efektif policie pranë banesës së tij në Laprakë.
Në një prononcim për mediat jashtë kamerave, mamaja e Klodianit ka rrënqethur me fjalët teksa ka thënë se ishte ajo vetë që i kishte dhënë lekët të dilte të blinte cigare. Ajo është shprehur se ai kishte me vete telefoni dhe dy hurma në dorë .
E pikëlluar, e ëma tha se ajo e ka parë momentin kur ai ka dalë po pastaj ka fjetur duke menduar se ai ishte kthyer, deri kur në orën 4 të mëngjesit i komunikuan se ai kishte humbur jetën .
Ndër të tjera ajo ka thënë se ai ishte më i urti dhe më i qeti nga 3 djemtë që ka, dhe nuk e imagjinon dot që të kishte armë, sepse përherë ka pasur frikë nga policia, dhe prandaj ajo mendon se kjo ka qenë arsyeja e panikut të tij.
Klodiani nuk ka pasur maskë, pasi ajo thotë se ai shprehej shpesh se i merrte frymën.
Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë në Laprakë, kur efektivi qëlloi dy herë me armën e shërbimit të riun, pasi nuk pranoi të ndalonte kur i bëri thirrje. Klodian Rasha u qëllua në kokë dhe në shpinë sipas ekspertizës paraprake dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje. SHCBA e akuzon atë për vrasje në rrethanat e tejkalimit të mbrojtjes së nevojshme.