Mbrëmjen e djeshme kryeministri Edi Rama njoftoi se ka shkarkuar ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe ka emëruar në vend të tij Taulant Ballën. Rama deklaroi se pret që Balla ta ndihmojë të “çojë përpara përpjekjen e tij shtetndërtuese”. Por çfarë ndodh me ministrat e Brendshëm? 10 vite në pushtet, pesë ministra. Dikasteri më i prekur nga ndryshimet.
Saimir Tahiri u dënua me burg për shpërdorim detyre për dosjen e trafikut të Habilajve, Fatmir Xhafaj i sulmuar për vëllanë, Sandër Lleshaj iku pasi i riu Klodian Rasha u vra nga policia dhe së fundmi, Çuçi pasi policisë i ishin lidhur duart politikisht.
Saimir Tahiri
17 Shtator 2013 – 19 Mars 2017
Fatmir Xhafaj
19 Mars 2017 – 24 Maj 2017
Sandër Lleshaj
23 Nëntor 2018 – 17 Dhjetor 2020
Bledar Çuçi
17 Dhjetor 2020 – 8 Korrik 2023
Taulant Balla
Korrik 2023- Vijon
Ngjarja e Krujës ishte një tregues i qartë që edhe pas 10 viteve në pushtet Edi Rama nuk ka arritur që të shkëpusë policinë nga politika.
Ishte mjaft e qartë arsyeja e vonesës, por edhe shoqërimit dhe lirimit të djalit të deputetit që më pas sapo doli videoja e shpallën sërish në kërkim.
Policia e shtetit nuk kishte guxim që ta arrestonte Rexhep Rrajën. Por drejtuesit e komisariatit në Krujë sigurisht që nuk vepronin në kokën e tyre.
Natyrisht ishte frika nga poshtë si pasojë e urdhrit nga lart që i bënte Rrajat të paprekshëm. A thua se i pari i qeverisë nuk kishte dijeni për fuqinë e tyre në Krujë?