Spitali i Pogrdecit ka reaguar në lidhje me vdekjen në rrethana të paqarta të mësueses 47-vjeçare, e cila ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme pas marrjes së ndihmës së parë në urgjencën e këtij spitali.
Ishte bashkëshorti i të ndjerës ai, i cili mëngjesin e sotëm akuzoi bluzat e bardha për mjekim të pakujdesshëm, pasi sipas tij e shoqja ndërroi jetë pas bërjes së një gjilpëre në urgjencë.
Shefi i Shërbimit Dr. Vasfi Topçiu, përmes një prononcimi për media, u shpreh se shërbimi i urgjencës i ka dhënë ndihmën e nevojshme të ndjerës, dhe për të zbuluar shkaqet e vdekjes nevojitet përfundimi i ekspertizës mjeko-ligjore.
“Shprehin ngushëllimet për familjarët në lidhje me ngjarjen e djeshme si mjekë dhe si bashkëqytetarë. Mund t’iu them se shërbimi i urgjencës ka dhënë të gjithë ndihmën e nevojshme që në momentin e parë që pacientja është paraqitur në spital. Për detaje të tjera jemi duke pritur përgjigjen e ekspertizës mjeko-ligjore dhe nuk mund të japim asnjë informacion tjetër”, u shpreh dr. Topçiu