Ka ngritur pikëpyetje të mëdha ftesa e kryeministrit Rama për naftëtarët e Ballshit, që janë në pikë të hallit dhe për të cilët, bisedimet me kreun e qeverisë mund të ishin një mundësi reale për gjetjen e një zgjidhjeje.
Prej disa ditësh në Ballsh situata është përkeqësuar. Punëtorët burra të rafinerisë qëndruan 18 ditë në grevë. Nuk morën pagat e prapambetura, por rikthyen vëmëndjen e opinionit publik nga skamja e më shumë se 900 familjeve, që jetojnë pa punë dhe të zhytur në varfëri ekstreme.
Pas protestave dhe grevës së burrave, ishin gratë e rafinerisë, të cilat vendosën të hyjnë në një grevë të dytë. Situata e tyre është e rëndë, por greva e urisë duket të jetë e vetmja rrugë.
Çështja është se papritur, të hënën, i erdhi një ofertë nga kryeministri Rama. Ky ndryshoi qëndrim dhe i ftoi naftëtarët të bisedojnë me të për gjetjen e një zgjidhjeje. Në një tweet në rrjetet sociale Rama i ftoi naftëtarët të bisedojnë, por me një kusht: ndërprerjen e grevës së urisë.
“U përsëris naftëtarëve të Ballshit që greva e tyre është e panevojshme, sepse unë jam me ta dhe qeveria është e tyrja! Ne jemi plotësisht të ndjeshëm ndaj hallit të tyre që është edhe halli ynë dhe është absurde që hallin t’ua qajnë ata që ua shkaktuan! I ftoj vëllazërisht ta ndërpresin grevën dhe jam i gatshëm të ulem e të bisedoj me ta për këtë hall të përbashkët, por jo kështu! Kështu jo, sepse presionet e ultimatumet nuk funksionojnë në asnjë familje dhe punëtorët e Ballshit nuk bëjnë përjashtim nga ky parim i panegociueshëm!” ishte mesazhi i Ramës për naftëtarët e Ballshit.
Por sa e sinqertë është kërkesa e Ramës, për të ndërprerë grevën e urisë, pa ofruar asgjë në këmbim të naftëtarëve?
Janë disa arsyet që e bëjnë Ramën të vështirë për t’u besuar nga naftëtarët, që prej vitesh kërkojnë pagat e prapambetura nëpër gjyqe, në protesta dhe në greva për rrogat e prapambetura.