I përndjekur nga regjimi, ish-deputet e ‘Nderi i qarkut’ Fier, shuhet në moshën 85-vjeçare shkrimtari Faslli Haliti.
Ndahet nga jeta në moshën 85-vjeçare shkrimtari i njohur nga Lushnja Faslli Haliti. I përndjekur nga regjimi komunist, ish-deputet dhe nderi i qarkut Fier dhe qytetar nderi i Lushnjës Faslli Haliti është autor i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.
Ai lindi në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935. Mbaroi Liceun Artistik për pikturë dhe u diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën Dielli dhe rrëkerat, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale.
Gjatë gjithë kësaj periudhe konvaleshence ideologjike iu hoq e drejta e botimit. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 ishte anëtar i LSHASH. Është nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë. Është Qytetar Nderi i qytetit të Lushnjës. Është Nderi i Qarkut Fier. Ka fituar çmimin e madh “Poeti më i mirë i vitit” – 2017, dhënë nga Fondacioni Kulturor “Harpa”.