Portali belg SudInfo raporton se grupi i goditur pak ditë më parë në Belgjikë është përgjegjës për vrasjen e Arjan Spahiut. Gjatë aksionit ku u prangosën 64 persona, kreu i të cilëve ende nuk dihet, janë zbuluar detaje të reja nga mediat vendase. Hetuesit pretendojnë se ky grup ka urdhëruar vrasjen e Arjan Spahiut më 27 nëntor të vitit të shkuar në Molenbeek. Vrasje që në Shqipëri trazoi ujrat në Elbasan.
Ardit (Arjan) Spahiu, 38 vjeç dhe banues në Elbasan u ekzekutua me tetë plumba në një nga lagjet më të njohura në Bruksel, në bulevardin ‘Edmond Machtens’, pranë lagjes së njohur Molenbeek.
Spahiu vdiq në vend si pasojë e plagëve të marra nga plumbat. Viktima, ka qenë i akuzuar 11 vjet më parë si organizator i vrasjes se Gëzim Alikajt, ngjarje e ndodhur në qytetin e Elbasanit, në afërsi të Urës së Zaranikës. Alikaj dyshohet se ka vrarë 13 vite më parë një të afërm të Arjan Spahiut, ç’ka ka bërë që hetuesit belg të dyshojnë se krimi ka ardhur si pasojë e hakmarrjes.
Një tjetër pistë është edhe ajo e luftës mbi kontrollin e territorit për trafikimin e drogës mes grupeve kriminale shqiptare në disa qytete europiane. Arjan Spahiu ishte edhe kunati i Erion Alibejt, i cili ndodhet në burg pasi akuzohet si oganizator i një sërë vrasjesh të ndpdhura në Elbasan. Alibej akuzohet se ka organizuar vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela, Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibejt, që u vra dy vite më parë në Bradashesh së bashku me xhaxhain e tij, Arben Dylgjerin dhe shtetasin turk Erdal Duranay. Nuk përjashtohet mundësia që edhe vrasja e Spahiu të jetë pasojë e këtij zinxhiri krimesh…