Duke marrë parasysh ngjarjen e rëndë, ku dy anëtarë të fisi Maja u rrahën nga disa pjesëtarë të fisit Rraja, disa ditë më parë në Borizanë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj kanë firmosur sot disa ndryshime në strukturat drejtuese të Komisariatit të policisë së Krujës.
Kështu, sipas vendimit të dy drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, është liruar nga detyra shefi i Komisariatit të Policisë Krujë Komisar Elton Shahini dhe në vend të tij është emëruar Komisar Kreshnik Alimadhi.
Po ashtu, është liruar nga detyra zëvendësshefi i Komisariatit/Shef për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, Nënkomisar Ajet Bega dhe është emëruar në këtë detyrë të Nënkomisar Sadik Topuzi.
Ndërkohë, nga detyra është liruar edhe shefi i Seksionit në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Krujë nënkomisar Anri Nazaj dhe në vend të tij është emëruar Nënkomisar Dashamir Ilamaj
Gjithashtu, është vendosur edhe transferimi i menjëhershëm të 26 punonjësve të Policisë të nivelit zbatues, pjesë të strukturave të njësisë operacionale, të strukturës së Policimit në Komunitet dhe të Patrullës së Përgjithshme.
“Ndryshimet e fundit, nuk erdhën vetëm si pasojë e ngjarjes së datës 06.07.2023, por dhe si rrjedhojë e një analize të gjerë të punës të bërë për 6-mujorin e parë të vitit 2023, bazuar në statistikat e kriminalitetit dhe problematikave të tjera të rendit e sigurisë, ku një numër personash me precedent kriminal, banorë të juridiksionit territorial që mbulon Komisariati i Policisë Krujë, janë përfshirë në ngjarje të ndryshme kriminale me impakt tek qytetarët.”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për mediat të Policisë së Shtetit.