Një pronar biznesi në Kosovë ka denoncuar një 32-vjeçar, i cili ka marrë me qira një makinë nga kompania e tij dhe nuk e ka kthyer më.
Pronari thotë se ky person, i quajtur Shqiprim Xhaferaj më datë 16 janar ka marrë me qira një makinë tip ‘Golf 6’ me afat kthimi 22 janarin. Por pasi e ka marrë, ai ka udhëtuar në Lezhë, e ka mbushur me karburant dhe është larguar pa paguar.
Ai thotë se ka bërë denoncim edhe në policinë e Kosovës dhe Shqipërisë, por përveç shpalljes në kërkim nga Komisariati i Lezhës, prej 3 javësh nuk ka asnjë informacion rreth tij.
Pronari ka mësuar personalisht se Xhaferaj është mashtrues pasi ka shitur në Kosovë tre makina të tjera të marra me qira në Shqipëri, por edhe anasjelltas.
Ai kërkon që ky rast të bëhet publik për të paralajmëruar kompanitë e tjera dhe për të ndihmuar në parandalimin e mashtrimeve të tjera.
Edhe pse makina e vjedhur nuk ka vlerë shumë të madhe, pronari thekson se është një automjet i blerë me shumë mund dhe punë.
Denoncimi i plotë:
“Përshëndetje, jam pronar i një biznesi rent a car dhe jap makina me qira nga Kosova. Që prej tre javësh, një person ka marrë një automjet nga kompania ime, ka shkuar në Shqipëri dhe ka hedhur karburant në qytetin e Lezhës, pastaj është larguar pa paguar dhe nuk e ka kthyer makinën.
Kemi bërë denoncim si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, pranë Komisariatit të Lezhës, por deri tani nuk kemi marrë asnjë informacion nga policia. Pas hetimeve që kemi bërë vetë si kompani, kemi zbuluar se personi në fjalë është një mashtrues. Ai ka marrë gjithsej tre makina nga Kosova, i ka dërguar në Shqipëri dhe i ka shitur. Po ashtu, ka marrë makina me qira në Shqipëri dhe i ka shitur në Kosovë. Kam foto të makinës dhe kontratën e tij. Makina që ai ka marrë është një Golf 6 dhe personi quhet Shqiprim Xhaferaj.
Po ju shkruaj, sepse deri tani nga policia nuk kemi marrë asnjë informacion. Edhe pse makina që ai ka marrë nuk është shumë e shtrenjtë, është një automjet i blerë me djersë dhe punë, dhe shpresoj që të postoni këtë mashtrues, që të mos i japin makina edhe kompanitë e tjera. Ju faleminderit për mirëkuptimin”.