Mjekët kanë paralajmëruar se një ilaç i zakonshëm i përdorur për trajtimin e çrregullimeve të lëvizjeve të pavullnetshme, si sindroma e këmbëve të shqetësuara dhe Parkinsoni, mund të shkaktojë sjellje seksuale devijante.
Pacientët që marrin këto ilaçe kanë zhvilluar impulse të çuditshme dhe sjellje problematike. Disa janë bërë të varur nga ekspozimi i trupit në publik, tradhtia bashkëshortore apo shikimi i pornografisë.
Rastet më të rënda janë ato kur pacientët kanë filluar të mbledhin pornografi me fëmijë dhe madje kanë kryer sulme seksuale ndaj të miturve, raportojnë mediat e huaja.
Ilaçet e përfshira bëjnë pjesë në grupin e agonistëve të dopaminës, që funksionojnë duke “mashtruar” trurin të mendojë se po merr dopaminë. Ky proces ndihmon në trajtimin e gjendjeve që shkaktojnë lëvizje të pavullnetshme, por gjithashtu ndikon në qendrën e shpërblimit dhe kënaqësisë së trurit.
Ilaçi më i zakonshëm në SHBA është ropiniroli, i shitur me emrin tregtar Requip, i cili përdoret nga miliona amerikanëve çdo vit. Studimet tregojnë se nga 6 deri në 25% e pacientëve që marrin këto ilaçe zhvillojnë sjellje të varura ose të rrezikshme.
Dr. Ozan Toy, nga klinika PsychTMS në New Jersey, tha se ropiniroli “është përgjithësisht një ilaç i sigurt, por si të gjitha ilaçet, ka efekte anësore të mundshme”. Ai sqaroi se rritja e niveleve të dopaminës mund të çojë në sjellje të varura ose kompulsive, si lojërat e fatit, blerjet e tepërta dhe sjellje seksuale problematike.
Në vitin 2019, organizata Public Citizen paditi FDA-në dhe kërkoi që në paketimin e këtyre ilaçeve të vendosej një paralajmërim për varësinë ndaj lojërave të fatit, ngrënien kompulsive dhe sjelljet hiperseksuale. Kjo padi u rrëzua, por në disa produkte tani përfshihet një paralajmërim për “sjellje të pakontrollueshme”.
Ndërsa disa studime sugjerojnë se ilaçet agonistë të dopaminës janë efektivë për trajtimin e Parkinsonit dhe sindromës së këmbëve të shqetësuara, rreziqet e mundshme të tyre në lidhje me varësinë dhe sjelljet kompulsive duhen marrë seriozisht. Mjekët rekomandojnë monitorim të rreptë të pacientëve që përdorin këto ilaçe, sidomos ata që kanë pasur më parë tendenca të varësive apo sjellje impulsive.