MITRO ÇELA – KOÇO DEVOLE
DËNIMI PËR GARUZHDËN
Tregon Koço
- Më dënuan njëherë se në një material që kisha shkruar, kuzhinieri kishte një garuzhdë të madhe. Dembeli i rolit, aktori, e tundte garuzhdën në fytyrë të kuzhinierit dhe ky detaj krijonte impakt dhe të tërë qeshnin. Por erdhi kritika nga lart: “Çfarë është ai që tallet me garuzhdën, mo? Po garuzhdja ushqen tërë ushtrinë popullore, more. Është në rregull ai? Merreni, shiheni atë.” Të nesërmen u mblodh byroja e partisë dhe më thonë mua do të shkosh për riedukim. Shkova në një repart te Rrapi iTrishit, në gurore dhe thyeja gurë. Erdhi drejtori i gurores dhe më tha:
“Po çfarë ke bërë që të sollën këtu? Merresh me femra? Të kanë zënë me ndonjë femër, mo?” “Jo”, – i thashë unë. Ai u interesua në komitetin e partisë dhe aty mori vesh që unë luaja me letra në kohën e lirë, nuk merrja pjesë në mbledhjet e partisë etj., etj. dhe vjen e më thotë: “Ti s’ke gjë nga ato me femra. Pse të kanë prurë këtu?” Ishte dita e 6-të që unë po punoja e thyeja gurë. Më vonë më tha: “Di të pikturosh ti, se të kam parë te ‘Hosteni”. “Di”, – i thashë unë. “Epo hajde na bëj Enver Hoxhën”, – tha. Me bojëra vaji më ndihmuan disa shokë. Ai e pëlqeu shumë pikturën. Kur erdhi sekretari i partisë, tha:”Po ky artist ç’do këtu? Çojeni ku ishte, çojeni”, – tha. Kështu shpëtova nga gurorja.