Dalin detaje të reja mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e të shtunës në zonën e njohur si Qafa e Topit në Babicë të Vlorës, ku në automjetin tip Fiat Punto ngjyrë jeshile me targat Tr 3784 R u ekzekutua 25-vjeçari Xhuljan Bullari me origjinë nga Peqini por që prej vitesh jetonte në Babrru të Tiranës.
10 persona janë marr në pyetje në lidhje me ngjarjen, kanë qenë kryesisht familjarë pjesa më e madhe e tyre të cilët kanë deklaruar se i riu kohët e fundit nuk ka pasur konflikte të paktën në djeninë e tyre teksa kanë konfirmuar problemet e mëparshme të këtij të fundit me ligjin ku ka qenë edhe i dënuar por sipas dëshmisë së tyre kjo ngjarje nuk mendohet të ketë lidhje me dënimin e mëparshëm të tij në 2018 për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, dënim që i riu e ka vuajtur për 3 vite e 4 muaj.
Së fundmi për shkak të sjelljes së mirë një pjesë e dënimit ishte kthyer në arrest shtëpie ku i riu e kishte shkelur edhe këtë të fundit.
Familjarët pohojnë se që pas kohës që kishte dal nga burgu deri tani s’ka patur probleme.
Ata dëshmojnë se i riu ishte nisur drejtë Vlorës, ku do qëndronte deri të shtunën ku prej të shtunës do të kalonte kufirin me Italinë për të shkuar në Gjermani ku i riu ka jetuar edhe më parë.
Në Gjermani do ta priste i vëllai i cili jeton prej pak vitesh andej.
Familjarët nuk kanë pasur djeni për faktin se çfarë ka kërkuar në Babicë të vogël teksa mendojnë se nga Tirana 25- vjeçari ka ardhur i shoqëruar e nuk ka qenë vetëm; dyshojnë se ka qenë i shoqëruar me shokë të tij.
Dëshmitar ka qenë edhe personi që lajmëroj policinë e zonës, kemi të bëjmë me një banor të Babicës i cili ka shkuar të kujdeset për tokën kur ka parë viktimën, edhe ky i fundit në dëshminë e tij nuk ka treguar detaje që të ndihmojnë forcat blu të Vlorës thjesht ka treguar skenën e gjetjes së trupit.
Gjithashtu në vendgjarje janë pyetur edhe banorët e zonës të cilët kanë pohuar se nuk kanë dëgjuar krisma, çka nuk përjashton as faktin të jetë ekzekutuar me armë zjarri të llojit pistoletë ku është përdorur edhe silenciatori, por mundësia më e madhe është qe krismat mos të jenë dëgjuar dhe për shkak të distancës.
Ekspertiza mjekoligjore ka nxjerrë në pah se viktima është goditur 4 herë, 1 herë në kokë që i ka shkaktuar vdekjen, dy plumba në trup dhe një plumb ka kapur mjetin tip Fiat Punto në brendësi të tij.
Viktima është goditur nga distancë e shkurtër me armë zjarri pistoletë, ndërsa nuk paraqet shenja dhune veç plagë prej armës së zjarrit.
Nuk bëhet fjalë që në zonë të ketë kamera sigurie apo ndriçim teksa ekspertiza mjekoligjore ka arritur në përfundimin se viktima kishte disa orë i vdekur dhe mendohet se është thirrur rreth orës 21 të mbrëmjes të së premtes në vendin ku u gjet i pajetë për t’u ekzekutuar.
Janë sekuestruar kamerat e sigurisë të një biznesi të llojit karburant aty pranë kamera sigurie të cilat nuk kanë treguar asnjë detaj për shkak se në rrugë hyjnë shumë automjete gjatë asaj kohë dhe gjatë ditës.Karburani është në rrugën kryesore Vlorë-Babicë në pjesën e hyrjes së rrugës dytësore ku u gjend i vdekur Xhuljan Bullari.
Makina e llojit Fiat Punto i përkiste një shtetase femër, nuk ishte automjet i vjedhur apo me targa të parregullta.
Identifikimi i viktimës është bërë pikërisht nga automjeti e cila ka dhënë informacion mbi viktimën dhe më pas janë lajmëruar familjarët të cilët kanë mbërritur në orën 13:00 të mesditës në morgun e Vlorës ku kanë identifikuar trupin dhe kanë dhënë dëshminë e tyre.