Fermerët në Seman parashikojnë një sezon me humbje
Mungesa e pikave të grumbullimit dhe magazinimit, si dhe importi i misrit nga vendet fqinje, kanë vënë në vështirësi kultivuesit e drithërave në disa fshatra. Fermerët e Semanit edhe këtë vit presin prodhim të mirë nga të mbjellat me misër, por problemi mbetet çmimi i tregut.
Gentian Sollaku, një nga kultivuesit më të mëdhenj të drithërave në këtë zonë, punon një sipërfaqe prej 50 hektarësh, ku kultivon kryesisht misër, grurë dhe elb, duke arritur një prodhim mbi dy mijë kuintalë.
Ai tregon se, edhe pse prodhimi i misrit është i mbarë, fermerët e zonës nuk janë të kënaqur, pasi çmimi i shitjes nuk arrin të përballojë koston e prodhimit. Sipas tij, mungesa e një rregullatori të tregut për të përcaktuar çmimin dhe ndërhyrja e shtetit për të ndaluar importin e misrit, si dhe ngritja e pikave të grumbullimit janë të nevojshme, pasi fermerët në zonë nuk kanë mundësi magazinimi. Kjo i detyron ata të shesin me një çmim shumë të ulët, i cili nuk mbulon as kostot e prodhimit.
Përballë këtij fakti, fermerët janë detyruar ta mbajnë drithin stok dhe, për të mos e hedhur, e kanë përdorur si ushqim për bagëtinë. Situata e tillë i bën fermerët e Semanit të hezitojnë dhe të mendojnë nëse do të mbjellin sërish drithëra. Ndaj, thirrja e tyre shkon për shtetin, në një moment kur korrja e misrit sapo ka nisur.