“Sot përcjellim Dëshmorin e Atdheut”, Çuçi për vrasjen e policit në Lezhë: Ky vit do të jetë ndër më të suksesshmit e luftës kundër kanabisit.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi është pyetur për vrasjen e policit Saimir Hoxha ditën e djeshme në Lezhë.
Çuçi thotë se sot do të përcillet polici si dëshmor atdheu teksa theksoi se SHÇBA po bën punën e saj.
Ai theksoi se ky vit do të jetë ndër më të suksesshmit në luftën kundër kanabisit në Shqipëri pasi deri më tani ka arritur majat.
‘’SHÇBA bën punën e saj para ligjit, mos merruni me këtë çështje, sot do të përcjellim Dëshmorin e Atdheut.
E keni agabim, statistika ka, botohen çdo muaj. Kemi statistikat që publikohen periodikisht bashkë me partnerët tanë. Lufta kundër fenomenit të kultivimit të kanabisit ka shënuar majën, e tregojnë shumë këtë.
Së pari numri i tregtarëve e parcelave të asgjësuara, e dyta presioni që është ngritur dhe nga trafikantët në lidhje me mungesën në treg të këtij produkti narkotik, janë dhe të dhëna, asnjë gomone e kapur në Itali, sivjet, të kapur me kanabis, nga forcat italiane, vetëm ne e kemi kapur. Rritja e çmimit po ashtu. Ky fenomen është zvogëluar, dhe besoj do të jetë një ndër vitet më të suksesshëm të luftës ndaj trafikut e luftës kundër kanabisit.’’- tha Çuçi.