Milan bën “djallin” në Zagreb, kalon pa shumë vështirësi Dinamon duke i thyer me “poker” golash. Gjithçka e lehtë për bandën e Piolit, thuajse në çdo zbritje ishte të saktë përpara porte, të udhëhequr edhe një herë nga një super Leao.
Pas një fillim sfide të ekuilibruar, Gabbia me kokë dërgoi topin në rrjetë, goli i tij i parë me fanellën kuqezi. Me fillimin e pjesës së dytë, me një aksion personal, edhe me pak fat, Leao dërgoi shifrat në 2-0. Në të 59-tën, Tonali fitoi një 11-metërsh, ndërsa Giroud nga pika e bardhë u tregua i saktë duke dërguar rezultatin në 3-0. Vendasit ishin të pafuqishëm për tu rikthyer në lojë, ishin dhe të pafat teksa në minutën e 69-të me një autogol sigluan shifrat përfundimtare në 4-0.
Në sfidën e fundit të fazës së grupeve, Milanit i mjafton një pikë përballë Salzburg për të kaluar në fazën e 1/8: “Kjo është një fitore me peshë, ishim të vetëdijshëm për këtë, por mbi të gjitha jam i lumtur për mënyrën se si e luajtëm këtë ndeshje. Tani mjafton një pikë? Rritja jonë kalon nga kualifikimi, por kundër Salzburg futemi në fushë për të fituar, ky është mentaliteti jonë”, theksoi Pioli pas ndeshjes.