“Femra jote”, mesazhi skandaloz i Skerdi Farisë që shkaktoi reagime të forta
“Investo tek femra jote! Buzë që të del shpirti vendit kur i provon!”
Ky ishte slogani i fundit i një ndër klinikave më të mëdha në Shqipëri e cila ofron kryesisht shërbime estetike, për gra dhe burra.
Kompania KEIT prej orëve të para të mëngjesit është vënë në shenjestër nga qytetarët pasi në rrjetet sociale u shpërnda me shpejtësi kjo reklamë e cila në pamje të parë, reklamon një shërbim të ri për buzët.
Por ndërkohë që qëllimi primar ishte pikërisht reklamimi i këtij shërbimi të ri në këtë klinikë estetike, forma dhe mesazhi me të cilin është zgjedhur të reklamohet është jo vetëm e gabuar por edhe e dënueshme me ligj.
Në ato pak fjalë të zgjedhura pa kujdes por ndoshta edhe me qëllim, kompania KEIT, jep një mesazh të shëmtuar duke e konsideruar vajzën e gruan, si një qenie të dobët, të manovrueshme, të drejtuar dhe kuruar sipas shijeve të burrave dhe në funksion të tyre.
Dhe jo vetëm që kjo reklamë është paragjykuese, ofenduese dhe me terma seksistë, por edhe në shkelje të plotë me ligjet e vëndit tonë pasi “me plot gojën” mund ta konsiderojmë si një reklamë denigruese.