Dy arushë, fotografi dhe fjalë prekëse/ Humbën jetën në aksidentin tragjik, memorial në kujtim të familjes Gushi në Fier.
Kanë kaluar vetëm pak javë nga dita, kur familja Gushi, nga Patosi, u aksidentua tragjikisht e për pasojë humbën jetën katër anëtarët e familjes, Eduardi, Silvana dhe dy vajzat e mitur, Anastasia dhe Eva. Sot në vendin, ku e gjithë familja dha frymën e fundit është ngritur një memorial. Siç shihet edhe nga fotot e mëposhtme, dy arushë, fotografia e familjes, fjalë zemre dhe disa këshilla për respektimin e rregullave plotësojnë memorialin e familjes që pati fatin tragjik.
Familja fatkeqe sapo kishte ardhur nga Greqia për të kaluar pushimet në Shqipëri. Rrugës për te gjyshërit e tyre në Vlorë, pësuan edhe aksidentin. Automjeti i tyre u godit me forcë shumë të madhe nga pas nga një mjet “Audi”, që drejtohej nga një 22-vjeçar, problematik në timon. Shpejtësia me gati 220 kilometra në orë e shkatërroi tërësisht mjetin e familjes Gushi, aq sa ishte e vështirë për të nxjerrë edhe trupat nga makina e bërë copë.