Arratisja për në Shqipëri e mashtruesit turk, Faruk Fatih Özer vazhdon që të shkaktojë bujë në Turqi. Mediat vendase duket se i kanë “sytë” nga Shqipëria për kapjen e personit që ka mashtruar më shumë se 400 mijë qytetarë, duke i shkaktuar dëme të mëdha financiare.
Për të kapur sa më shpejt 27-vjeçarin, sipas mediave turke, Policia Shqiptare është angazhuar maksimalisht. Madje ofron 50 mijë euro për personin që do të japë një informacion të rëndësishëm që më pas do të sjellë edhe kapjen e tij. Shumë kjo që rrallë herë është ofruar nga Policia. Gjithashtu bëhen me dije dhe informacione të reja, lidhur me personat që e kanë marrë në mbrojtje turkun.
Bie poshtë teza për lidhjen e tij me mafian! Tani Özer është marrë në mbrojtje nën kujdesin e një familje me ndikim, e shquar në botën e biznesit. Familja, thuhet se ka një kompani furnizuese të produkteve ushqimore në Shqipëri. Por më shumë detaje se kaq nuk janë bërë me dije.
Po ashtu mediat turke si ‘Cumhuriyet‘ dhe ‘Trthaber‘ shkruajnë se rolin kryesor në arratisjen e tij e ka mbajtur Edevaldo Haxhiu, një biznesmen shqiptar. Në të njëjtin hotel ku po qëndronte Özer, u kap shqiptari Altjan Canaj.
Özer themeloi kompaninë në vitin 2017 dhe lejonte përdoruesit të blejnë dhe të shesin kriptovaluta të Bitcoin, por pasi u mori investimet nuk i lejonte më që të kishin akses në platformë. Pas denoncimeve të bëra, Prokuroria nisi hetimet ndaj tij duke e shpallur në kërkim, pasi akuzohet se ka kryer veprën penale: mashtrim duke përdorur sistemet e informacionit, bankat ose institucionet financiare dhe krijimin e një organizate kriminale.











