Fundi i 2020-ës dhe fillimi i 2021-it ishte parashikuar të sillte një bum sa i përket lindjeve të reja në mbarë botën. Por, ndryshe nga çfarë u parashikua në fillim të pandemisë, nuk pati aspak një bum masiv të foshjnjave.
Madje, përkundraz, lindshmëria, në shumë vende të botës, ashtu si dhe në vendin tonë po vjen gjithmonë e në rënie.
“Nuk mund ta përballojmë të kemi edhe një fëmijë tjetër”,- shprehet Liza, nëna e një fëmijë katër vjeçar, ndërsa shton se gjithmonë ka dashur të ketë minimalisht dy fëmijë, të cilët të mos kenë diferencë të madhe moshe me njëri-tjetrin, por se për momentin këtë dëshirë të saj e gjykon si të parealizueshme.
“Është një periudhë e vështirë ekonomike” pohon ajo, ndërsa shton se bashkëshorti i saj, i cili deri në disa muaj pas pandemisë punonte në një biznes privat (restorant), tashmë është i papunë.
Por, nuk është vetëm pasiguria ekonomike, e cila bën që numri i lindjeve të vijë duke u ulur.
Pandemia i vendosi prindërit dhe sidomos gratë para një sfide të re: kryerja e shumë punëve në të njëjtën kohë.
Shumë prindër duhej që njëkohësisht të shkonin në punë dhe të përmbushnin detyrimet familjare, tashmë me ngarkesë shtesë: duke u bërë baby-sitter e jo rrallë herë edhe mësues të fëmijëve të tyre. Kjo ngarkesë, para periudhës së pandemisë ishte shumë më e lehtë, për shkak se fëmijët shkonin rregullisht në shkolla apo qendra të kujdesit ditor.
“Ekziston një pritshmëri e pathënë, që gratë janë përgjegjëse për jetën e familjeve të tyre dhe ruajtjen e mënyrës së jetesës ashtu siç ishte para pandemisë dhe gjithçka pa sistemet e mbështetjes në të cilat ne mbështeteshim. Por është pikërisht kjo punë e shtuar, e padukshme në pamje të parë, që bën që gratë të mos duan të rrisin dhe shtojnë anëtarë të rinj në familje gjatë pandemisë. Gratë nuk mund dhe nuk duhet të pritet të bëjnë gjithçka”- shprehet Sian Beilock, një kërkuese shkencore mbi ankthin e performancës, puna dhe kërkimet e së cilës janë të fokusuara së pari te gratë dhe edukimi i tyre.
“Kur në fillim të marsit, thuajse gjithë bota u izolua për të ndalur përhapjen e koronavirusit , në media u parashikua se do të kishte një bum masiv foshnjash pas rreth nëntë muajve.
Kohët e fundit është bërë e qartë se sa i gabuar ishte ai parashikim”, vijon ekspertja.
Sipas të dhënave, kudo në botë dhe edhe në Shqipëri gratë nuk e kanë parë si të favorshme periudhën e pandemisë, për të lindur fëmijë.
“Sa i përket fenomenit baby boom, i parashikur në fillim të pandemisë, ky nuk rezultoiiI vërtetë. Nuk vihet re ndonjë baby boom. Përkundrazi, në USA, indeksi i fertilitetit për 2020 ishte në minimumin e 35 viteve të fundit. Edhe në aktivitetin tim kryesor (IVF) nuk ka aspak ndryshim. Nëqoftëse do të kishim ndonjë baby boom, domethënë që më pak çifte do t’i drejtoheshin Fertilizimit In Vitro!”, – shprehet për gazetën “Si”, mjeku obstret/gjinekolog, Elton Peçi.
Sipas një studimi, në SHBA 34% e grave thanë se donin të mbeteshin shtatzënë më vonë ose donin më pak fëmijë për shkak të pandemisë COVID-19.
Megjithatë, mjeku Peçi thekson se “jemi ende në mes të pandemisë dhe efektet e saj do të arrijmë t’i kuptojmë vetëm kur ajo të ketë kaluar plotësisht.”
“Lindjet e janarit 2021, përshembull janë pasqyrë e sjelljes në muajt prill 2020. Ndaj duhet të presim pandeminë që të kalojë që të kuptojmë përfundimisht efektin. Personalisht mendoj se do ketë një rritje të numrit të lindjeve, por nuk ka për të qenë kurrsesi një boom. Pasi fertiliteti i popullatës globale 2021 është shumë herë më i ulët se ai i popullatës globale 50 apo 70 vite më parë”, – komenton Peçi.
Ekspertët nga ana tjetër theksojnë se “Kryerja e shumë detyrave në të njëjtën kohë në mënyrë efektive është një mit.”
“Gratë nuk dinë si t’i menaxhojnë gjërat, në mënyrë që të mos shtojnë ngarkesat e tyre të punës. Mbyllja e papritur e shkollave dhe qendrave të kujdesit ditor, detyroi shumë prej nesh që papritur të merrnin rolet e mësuesit dhe kujdestarit ndërsa vazhdonin të punonin me kohë të plot.”, vërejnë ekspertët. Ndërkohë, të dhënat qeveritare para-pandemisë tregojnë se gratë tashmë po kalonin rreth dy herë më tepër kohë sesa burrat në kujdesin e fëmijëve dhe punët e shtëpisë.
“Nuk arrij dot t’i bëj gjërat siç duhet. Jam e lodhur kur kthehem nga puna pas më shumë se tetë orësh dhe nuk gjej kohë as të rri me fëmijët. Duhet të gatuaj, të pastroj shtëpinë e gjëra të tilla. Fëmijët nga ana tjetër kërkojnë që të shpenzoj kohë me ta”, – thotë Aurela.
Koronavirusi ka shkaktuar trazira të mëdha në pothuajse çdo aspekt të jetës sonë dhe mbetet një pasiguri e madhe për atë që do të sjellë e ardhmja. Njerëzve nuk u pëlqen pasiguria dhe duan të dinë se çfarë do të ndodhë nëse marrin vendime të mëdha. Hulumtimet tregojnë se njerëzit e shohin pasigurinë edhe më stresuese sesa të dinë me siguri se diçka e keqe do të ndodhë.
Tani për tani, gratë janë të mbingarkuara nga puna e padukshme dhe askush nuk mund të parashikojë se si do të jetë “normaliteti i ri” gjatë viteve të ardhshme. Për këtë arsye, shumë që po e konsideronin të bëheshin prindër në një periudhë të afërt kanë pasur mendime të dyta.
Lindjet në vitet e fundit
Vlera e shtesës natyrore në Shqipëri është ulur gjatë vitit të kaluar. Shtesa natyrore në Shqipëri ra nga 7.130 (lindje më shumë se vdekje) në vitin 2018, në 6.624 lindje në vitin 2019.
Qarku me shtesën natyrore më të lartë ishte ai i Tiranës, me një vlerë prej 3.932 lindje më shumë sesa vdekje në vitin 2019, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët ishte ai i Korçës, me 373 vdekje më shumë sesa lindje në atë vit. Në vitin 2019, bashkia me shtesën natyrore më të lartë të popullsisë ishte ajo e Tiranës, me një vlerë prej 3.010 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa bashkia me shtesën natyrore më të ulët ishte ajo e Korçës, me një vlerë prej 255 vdekje më shumë sesa lindje.
Ndërkohë 2020-a sipas ekspertëve ka sjellë numër akoma më të ulët të lindjeve. Shumë prindër “përpëliten” mes detyrimeve të së përditshmes, por është shumë herët për të thënë me siguri, nëse kjo krizë e vazhdueshme e kujdesit për fëmijët do të provohet si katastrofike për karrierën e nënave që punojnë.
Megjithatë, një gjë është e qartë: të kesh fëmijë gjatë pandemisë, thjesht nuk është e realizueshme për shumë gra.