Credins bank dhe Universiteti i Tiranës, nënshkruan marrëveshjen e re të bashkëpunimit, për pasurimin e kurikulave të studentëve dhe mundësinë e punësimit në sektorin bankar.
Nënshkrimi i marrëveshjes u firmos nga z.Maltin Korkuti, Drejtor i Përgjithshëm i Credins bank dhe z. Artan Hoxha, Rektori i Universitetit të Tiranës.
Përgjatë takimit, fokusi i diskutimit ishin temat mbi krijimin dhe zhvillimin e praktikave mësimore, mbi edukimin financiar dhe kryesisht atij bankar.
Credins bank, si një nga institucionet më të rëndësishme me kontribut për arsimin në vend, do të mundësojë intershipe, praktika të paguara, zhvillim të kurikulave, mundësi punësimi, etj.
Credins bank nëpërmjet akademisë së saj “You Are Credins” ofron një infrastrukturë të plotë të kombinuar mes teorisë dhe praktikës nga mentorët më të mirë të Credins bank, ekspertë të sektorit bankar, lektorë të huaj, si dhe akademikët më të mirë të fakulteteve në Shqipëri.
Bashkëpunime të këtij niveli vijnë për të rritur edhe më shumë ndërveprimet mes botës akademike dhe sektorit privat, në veprimtari të ndryshme të cilat sjellin zhvillimin e shoqërisë në vend.
Mes diskutimesh z. Maltin Korkuti citoi se –“Credins bank është mirënjohëse që një pjesë e punonjësve tanë janë kontigjent i suksesshëm të ardhur nga auditori i Universitetit i Tiranës. Sinergjia midis botës së biznesit dhe asaj akademike, është një partneritet që sjell sukses dhe zhvillim për vendin”.
Nga ana tjetër, Rektori i Universitetit të Tiranës z. Hoxha shprehu falenderimin e tij për Credins bank mbi këtë partneritet, i cili do të jetë një ndihmesë e madhe për studentët.
-“Studentët që vlerësohen nga strukturat bankare si potenciali kryesor, sjellin gjithmonë zhvillim të vendit dhe të shoqërisë”,– theksoi ndër të tjera z. Artan Hoxha.
Unifikimi përmes projekteve arsimore të ndryshme që do të propozohen nga Credisn bank, synon të rrisë kapacitetin e përgjithshëm të studentëve në fushën e biznesit, si dhe të sjellë modele suksesi në zhvillimin e ekonomisë së vendit.
Ky bashkëpunim vjen gjithashtu në kuadër të 20 vjetorit të bankës, ku fusha e arsimit dhe punësimi i të rinjve janë pjese e vazhdueshme e strategjisë dhe politikave kryesore të Credins bank.