Sot në orën 16:00 do të zhvillohet mbledhja e dytë e Këshillit të Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë për kërkesën e SPAK për arrestimin dhe kontrollin e banesës së Arben Ahmetajt.
Mbledhja e djeshme u shty dje pas kërkesës së avokatëve të Ahmetajt, Ardian Vishaj dhe Henrik Ligori me argumentin se dosja është voluminoze dhe u duhej kohë për të përgatitur mbrojtjen.
Gazmend Bardhi, akuzoi mazhorancën se mori vendimin pa votimin e Këshillit dhe se po i jep kohë ish-zv/kryeministrit.
Po ku ndodhet ai?
Zëri i Amerikës ka konfirmuar përmes burimeve zyrtare se ai është larguar nga kufiri tokësor i vendit, drejt Greqisë, të premten paradite, pikërisht pak orë përpara se sa Prokuroria t’i dërgonte parlamentit, shkresën për arrestimin.
Zëri i Amerikës shkruan se Ahmetaj, ka prerë online një biletë avioni për në Itali, por që nuk e ka përdorur. Nga verifikimet e sinjalit të celularit të tij, momenti i fundit i vendndodhjes rezulton të ketë qenë Kanadaja.
Të njëjtën hipotezë e ka shfaqur dhe kryetari i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, kur ka pyetur për këtë, drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, por pa marrë një përgjigje prej tij.
Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë të gjitha gjasat janë që largimi i tij të jetë përfundimtar, për t’i shpëtuar përballjes me drejtësinë.