Lulzim Basha:
Basha: Shqipëria ka përgjegjësi për të qëndruar pranë SHBA dhe aleatëve tanë në zgjidhjen e krizës humanitare në Afganistan. Rreziku për vendin vjen nga keqqeverisja, jo nga angazhimet nderkombëtare
Si anëtare e NATO-s, Shqipëria gëzon të drejta dhe detyrime. Nga këto detyrime lindin përgjegjësitë për të qëndruar pranë partnerit tonë strategjik SHBA dhe aleatëve tanë në zgjidhjen e krizës humanitare që po precipiton në Afganistan. Shqipëria duhet të bëjë, ashtu sikurse e kemi bërë më parë, pjesën e saj, në proporcion me kushtet dhe mundësitë tona. Empatia dhe solidariteti kundrejt atyre që kanë luftuar për të krijuar një rend demokratik në Afganistan, nuk mund të mungojë.
Rreziqet mbi identitetin tonë kombëtar, si pasojë e shpopullimit të Shqipërisë, nuk lindin si pasojë e zgjidhjeve strategjike në kuadër të NATO-s dhe bashkëpunimit strategjik me SHBA, por për shkak të keqqeverisjes së pakicës që e ka bërë vendin të pajetueshëm për qytetarët. Sikurse është detyra jonë të jemi në lartësinë e angazhimeve ndërkombëtare, është po ashtu detyra jonë të jemi në lartësinë e sfidave që ka Shqipëria, për të patur një qeveri që punon për njerëzit dhe mbështet aspiratat e tyre legjitime për të jetuar me dinjitet dhe mirëqenie në vendin e tyre.