Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë Lindita Nikolla pranon se është ndjerë keq gjatë momentit të votimit të saj për të marrë këtë detyrë, kur opozita grisi fletët e votimit. Në një bisedë me Marsela Karapançon në emisionin “Frontline” në News24, Nikolla deklaroi se do të jetë avokate e opozitës që të dëgjohet në parlament, duke mos hequr dorë asnjëherë nga një debat etik e qytetar.
“Patjetër një mision me përgjegjësi të madhe për t’u ngritur mbi palët për të krijuar hapësira e përfaqësimit pa bërë dallime mes maxhorancës dhe opozitës. Dallimi për mua mes tyre janë vetëm numra. Për nga kontributi, hapësira dëgjimi do jenë të barabarta. Do jem avokate e opozitës që të dëgjohet në parlament. Parlamentin ta kthejmë një pasuri për publikun. Besoj që me kthimin e opozitës në parlament, sesionet tona parlamentare do jenë të kthyera nga problemet reale që vendi ka, për një debat etik dhe qytetar. Ishte një shfaqje e trishtë dhe unë nuk mund të ndihesha ndryshe përpos se ligsht, teksa shihja zonja e zotërinj që pop i ka përfaqësuar duke mbajtur atë qëndrim me votën. në momentin që unë si deputet jap atë shfaqje, çfarë do bëjë publiku në raport me votën. Ishte e trishtë të shihja dhe zonjat me të njëjtin qëllim. Fati e deshi që të ishte një zonjë e para, zonja Açka për të cilën kisha dhe kam të tjera pritshmëri. Nuk kishte pse të jepej ajo shfaqje në sy të publikut”, tha Nikolla.
E pyetur nëse grisja e fletëve të votimit në mënyrë demonstrative, ishte për të shmangur një lloj rrjedhje apo kishte të bënte me emrin e saj, Nikolla tha se mendon se ka qenë meraku për rrjedhjen e votave, por sërish e quan të pajustifikueshme.
“Nuk e di se kush ka qenë thelbi, por besoj se meraku se mos kishte rrjedhje vote me kandidaturën e kryeparlamentares. Por ajo që ndodhi aty nuk e justifikon asnjë sjellje të tillë në raport me votën. Opozita besoj që të kuptojë dhe të tejkalojë këto shfaqje, nuk e rrisin reputacionin, nuk e bën më të ashpër aksionin opozitar”, tha Nikolla.
Marrë nga BW