Lëndët kancerogjene tek çokollatat/ Asgjesohen 36 tonë Snickers, Bounty dhe Twix në Shqipëri
Disa ditë më parë Gjermania dhe Franca pezulluan konsumimin e çokollatave Snickers, Bounty, Twix dhe M and M për shkak se kanë lëndë kancerogjene. Alarmi u dha nga Bashkimi Evropian për këto produkte si dhe për akulloret e kompanisë “Mars”.
Ndërkohë, tashmë thuhet se pas sinjalizimit nga BE dhe aksioneve në disa shtete edhe në Shqipëri ka nisur asgjësimi i tyre nga marketet e vendit. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi se ka sekuestruar 36 tonë çokollata dhe akullore të kësaj kompanie.
Sipas AKU, këto prodhime kanë hyrë në Shqipëri në periudhën mars-maj 2021, para se BE të jepte alarmin. Raportohet se në çokollatat dhe akulloret e kompanisë “Mars” është konstatuar oksid etileni, një substancë shumë e rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve.
Fillimisht kompania Mars deklaroi se produktet e saj nuk ishin të dëmshme por së fundmi pas publikimit të disa hulumtimeve nga mediat ajo ka nisur mbledhjen e mallrave në disa shtete të Evropës.
Por rreziku nga prodhimet e “Mars” është vetëm “maja e ajsbergut” pasi rezulton se oksidi e etilenit përdoret edhe në shumë produkte të tjera që gjenden gjerësisht në treg si akullore, reçel e produkte të pjekura.