Kush janë Peçinët që po thajnë Buxhetin e Shtetit nga çdo anë?! Miliarda në Shëndetësi e Koncesion doganash
58 Milionë Lekë kanë përfituar në një tender të fundit nga Drejtoria e Spitalit Rajonal Lezhë, familja Peçini, me “shërbëtorin” e tyre të MEDI-TEL, Ervin Kristo. Se pse mbiemri Peçini ju duket i dëgjuar këtë, do jua shpjegojmë pak më poshtë në këtë artikull. Në tenderin që do të analizojmë ditën e sotme, i cili është shënuar me REDFLAG për ‘Skualifikimi i të Gjithë Operatorëve Konkurrues Përveç Fituesit” me objekt “Evadimi i mbetjeve të rrezikshme Spitalore: Loti 1 – Instrumenta të mprefta” ka patur një kleçkë qesharake në thelb, nëse do të shikoni dokumentet e ankimimit.
ERVIN KRISTO (ADMINISTRATOR)
Në dokumentet drejtuar AK e më pas KPP, përfaqësuesi i Medi-Tel, administratori Ervin Kristo i pranishëm në momentin e dorëzimit të materialeve të tenderit supozon se ka vërejtur parregullsi në shërbimet që do të ofronte kompania rivale në tender VALE Recycling i cili kishte ofruar ofertë më të vogël ekonomike, kur në fakt edhe në kthim-përgjigjen e kësaj ankesë i është bërë me dije se procesi i vlerësimit të ofertave i takon AK dhe jo Operatorëve të tjerë Ekonomikë. Ju duket për të qeshur? Epo jo dhe aq, kur të mësoni arsyen se ku e keni dëgjuar këtë mbiemër. Me anë të këtyre manovrave, Anastas Peçini, i cili ka marrë nën zotërim aksionet e bashkëshortes së tij Valbonës, është shpallur fitues i tenderit dhe rezulton se nuk janë milionat e vetme që i kanë thithur Buxhetit të Shtetit.
Peçinët janë zotërues me përqindjen më të madhe të aksioneve të spitalit SALUS dikur të administruar nga italianët. Olti Peçini bleu 57% të aksioneve për 1.1 milionë euro. Dentisti Olti Peçini u bë i njohur në vitin 2017 pasi bleu për shumën simbolike prej 5 mijë lekësh të vjetra me kompaninë e tij ICMS 49% të aksioneve të kompanisë Rapiscan që fitoi koncesionin e skanimit nëpër dogana, me vlerë 4 Miliard Lekë. Koncesioni i Rapiscan mendohej se do fitonte 220 Milionë Euro në 10 vjet për një shërbim ekskluziv, dhe shitja për 5 mijë lekë e gati gjysmës së aksioneve ndaj një partneri ngjan diçka shumë e dyshimtë, pasi vlera e kontratës së Rapiscan për skanimin e kontejnerëve ishte mbi 200 milionë dollarë amerikanë. Megjithatë, edhe kjo çështje, ashtu si shumë skandale të tjera të lidhura me koncesionet, duket se kaloi në heshtje dhe drejtësia shqiptare nuk bëri asgjë për të zbardhur skemën dhe lidhjet e dyshimta të koncesionit Rapiscan.
Peçini junior dikur mbante edhe fjalime nëpër universitetet private të kolegëve të tij mbi Buxhetin e Shëndetësisë në vend duke qenë një prej shteruesve të tij familjarisht… Në lidhje me aferat e tjera të dyshimta mbi Peçinët në fushat ku kanë futur duart mbi Buxhetin e Shtetit, do të bëhen publike në vijim.